Me “presidentin letonez” kryeministri Albin Kurti nuk foli për bashkëpunim bilateral, vendosje marrëdhëniesh diplomatike, shkëmbime tregtare dhe ekonomike, e as loboi për anëtarësim në organizata të ndryshme. Në rrengun e përgatitur nga komedianët rusë, si një delirant i vërtetë, ai foli zi e terr për opozitë, media dhe biznese.
Imer Mushkolaj
Kryeministri Albin Kurti ka rënë pre e një rrengu të dy komedianëve rusë, Vovan dhe Lexus, të cilët i kanë telefonuar atij dhe e kanë bërë të besojë se ishte duke folur me presidentin e Letonisë, Edgar Rinkevics. Në videon e publikuar në Rumble, Kurti bisedon hapur me “presidentin letonez”, duke i bërë llaf për persona e fenomene të ndryshme – që nga Richard Grenelli deri te Milan Radoiçiqi.
Kurti nuk është i vetmi që ka rënë në “grepin” e dyshes ruse. Para tij, viktima të bisedave telefonike kanë qenë personalitete të njohura të politikës dhe jo vetëm. Dhe, do të kalohej me sportivitet edhe ky rreng, po të mos ishte problematike përmbajtja e bisedës.
“Presidenti i Letonisë” i telefonon Kurtit që ta urojë për fitoren në zgjedhje. Në një situatë normale, kjo i bie të jetë një telefonatë kurtoazie, përmbajtja e së cilës nuk do të duhej t’i kalonte kufijtë protokolarë të zakonshëm. Megjithatë, Kurti zgjodhi të bëjë muhabet me rusin e “maskuar” si letonez që nga çështjet e brendshme të Kosovës, deri tek ato globale.
Kryeministri përsëriti sulmet kundër opozitës, mediave dhe bizneseve, duke i cilësuar si “luftë hibride” ndaj tij. Ai nuk la pa përmendur as Amerikën dhe Richard Grenellin, duke ia kujtuar “letonezit” se i dërguari amerikan ka marrë një dekoratë të lartë në Serbi. “Nuk mund të marrësh këtë vlerësim në Serbi e të thuash jam i paanshëm. Ai ka punuar sistematikisht për të rrëzuar qeverinë time”, tha Kurti.
Por ai “harroi” të tregojë se Grenell është dekoruar edhe në Kosovë. Në vitin 2020, nga presidenti Hashim Thaçi Grenell ka marrë Medaljen Presidenciale të Meritave “për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi”. “Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë më shumë paqe mes dy vendeve”, kishte thënë Thaçi atëherë.
Në bisedë me rusin, Kurti nuk ngurroi t’ia kujtoi “presidentit letonez” edhe orientimin seksual të Grenellit, ndërkohë që vetë i pari i Letonisë është gay i deklaruar. Se për çfarë arsye është lëshuar në komente të tilla, mbase di ta shpjegojë vetëm Kurti. Por, pavarësisht se gjithçka ishte një rreng, në të cilin “ra” kryeministri, përmbajtja dhjetëminutëshe e bisedës ngre shumë dilema dhe pikëpyetje.
* * *
Pyetja themelore, e cila kërkon përgjigje është: pse duhet kryeministri i Kosovës t’i flasë presidentit të një vendi si Letonia (edhe po të mos ishte rreng) për çështje të brendshme të vendit, të cilin e udhëheq? Pse duhet t’i nxijë para tij opozitë, media e biznese?
Në situata normale, nga politikanë normalë, bisedohet për çështje të bashkëpunimit bilateral, vendosje marrëdhëniesh diplomatike, si dhe shkëmbime tregtare e ekonomike. Do të mund të kishin folur edhe rreth lobimit për anëtarësim në organizata të ndryshme. Por, të bisedosh me presidentin të një shteti tjetër për çështje të brendshme, në përpjekje për t’i nxirë të gjithë ata që i projekton si kundërshtarë, është e pavend, e papranueshme dhe e gabueshme.
Njerëzit e Kurtit dhe militantët, natyrisht, e arsyetojnë këtë qasje të tij, duke thënë se këto gjëra ai i ka thënë edhe publikisht. Por, ata e huqin me qëllim kontekstin dhe qëllimin e bisedës.
Ndërkaq qesharak, fort qesharak, m’u duk reagimi i Zyrës së Kryeministrit. Duke u arsyetuar se nuk ka qenë i mundur verifikimi i çdo thirrjeje kjo zyrë, e cila paguhet nga taksat e qytetarëve, na tregoi edhe diçka “fort të rëndësishme” – se Rusia vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Më e pakta që duhet të ndodhë është që njerëzit e kësaj zyre, përgjegjës për skandalin, të shkojnë në shtëpi. Çfarë do të ndodhte po që se, në delirin e tij, Kurti do t’i jepte “presidentit letonez” informata të ndjeshme?
Në vitin 2023, kur pre e komedianëve rusë ra kryeministrja e Italisë, këshilltari i saj diplomatikë dha dorëheqje. Por në Kosovë dorëheqje formale nuk jep as Albin Kurti, pavarësisht se ashtu përcaktohet me ligj.