Donald Trump e udhëheqë shtetin me 347 milionë banorë, dhe e ka në dorë fatin e ekonomisë më të madhe në glob, qw vlen 30 trilionë dollarë.
Që nga mesnata e 2 prillit, SHBA ka vendosur tarifa pothuajse për mallrat e të gjitha shteteve.
Për ta kuptuar më thjeshtë situata është kështu, nëse një produkt i Gjermanisë në SHBA është shitur 100 euro, me tarifën 20%, çmimi i tij do të rritet në 120 euro.
Në këtë rast Kinës është vendosur tarifa 34%, Bashkimit Europian 20%, e kështu me radhë.
As shtetet e Ballkanit e as Kosova nuk i kanë shpëtuar tarifat. Ndaj Kosovës dhe Shqipërisë është vendosur 10% tarifë, ndaj produkteve të Serbisë 37%, Bosnja e Hercegovina 35%, dhe Maqedonisë së Veriut 33%.
Me rreth 100 mijë euro shitje në SHBA, kompania ASK Foods me seli në Gjilan, amerikanëve iu shet ajvar, lëng natyral të pemëve e me raste edhe turshi.
TV Dukagjin ka biseduar me udhëheqësit e kompanisë të cilët thanë se ende nuk e kanë të qartë ndikimin e tarifës 10%.
Megjithatë ata shohin edhe anë pozitive. Për shembull konkurrentët e produkteve të tyre në SHBA janë prodhuesit nga Maqedonia e Veriut. Sipas tyre të paktën me produktet nga Ballkani Perëndimor, prodhuesit kosovarë do të kenë përparësi në tregun amerikan.
Do të ketë ndikim negativ, sidomos në ekonominë e dobët vendore e cila konsumon shumë e prodhon pak.
Përkundër anëve të vogla pozitive, ekspertët e ekonomisë presin ndikim negativ në ekonominë vendore. Dhe për këtë thonë se qeveritarët është dashur të bëjnë diçka.
“Ne kemi një ambasadë atje, kontaktet i dimë shumë mirë që kanë qenë jashtëzakonisht të ulëta në Qeverinë që shkoi dhe kjo normalisht e ka pasue ndikimin e saj pastaj. Por ne kemi kërkuar nga Qeveria e cila është në detyrë të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që i ka që të paktën edhe nëse merret vendimi, të paktën të jetë sa më i ulët kjo takse”, deklaroi Kushtrim Ahmeti – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë pret që edhe taksa ndaj Bashkimit Europian por edhe fuqive të tjera, mund të ketë efekt negative zinxhiror në tregun vendor.
“Gjithmonë çdo veprim që po ndërmerret kudo, dhe nëse ne kemi pak lidhje ekonomike me atë vend, e ka automatikisht ndikimin tek ne. Edhe nëse ne pak e hiq kemi pasur lidhj me të themi me Ukrainën, por ndërlidhja e asaj lufte që ndodhi në gjithë Europën e përfshiu edhe vendin tonë pastaj.”, deklaroi Kushtrim Ahmeti – Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë
Verë të kuqe, mobilie, pije freskuese, tekstil, ujë mineral e natyral, këto janë disa nga produktet Kosova i prodhon e janë më të shiturat në Amerikë në muajt janar-shkurt 2025.
Kulmi i eksportit ka qenë në vitin 2021, mbi 131 milionë euro, në vitin 2023 mbi 100 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 vlera e mallrave të shitura në SHBA ka rënë në 40 milionë euro.