Dhjetë persona janë arrestuar pasi janë hasur duke luajtur bixhoz në fshatin Isniq të Deçanit.
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës bën të ditur se lokali është mbyllur nga inspektorët kompetentë komunalë mbrëmjen e së premtes.
“Fsh. Isniq, Deçan 06.10.2022-22:30. Janë arrestuar dhjetë (10) të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit në një lokal janë hasur duke luajtur bixhoz. Me vendim të prokurorit, të gjithë të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa lokali është mbyllur nga inspektorët kompetentë komunalë’, thuhet në raport.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe të mërkurën e 5 tetorit.
Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se përmes një operacioni të gjerë të koduar me emrin “TOTO”, në disa rajone të vendit i kanë arrestuar disa persona, të cilët dyshohen se kanë kryer vepra penale të fajdes, detyrimit, organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit.
Gjatë operacionit janë kontrolluar 19 lokacione, dhe si rezultat janë arrestuar 13 të dyshuar. Sipas raportit 24-orësh të policisë thuhet se disa prej të dyshuarve janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave online të bixhozit.
Në cilësi të provave materiale nga operacioni janë sekuestruar para të gatshme, armë, municion, vetura, telefona mobilë e të tjera.