Një sulm tragjik ka ndodhur në një shkollë në qytetin Orebro të Suedisë, ku 10 persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe vetë sulmuesin.
Policia suedeze konfirmoi ngjarjen të martën, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë ende në vazhdim.
Shefi i policisë lokale, Roberto Eid Forest, deklaroi se autoritetet janë duke punuar për të identifikuar viktimat.
“Tani për tani jemi duke i identifikuar të vdekurit… Ne po punojmë me shërbimet sekrete, por me sa di unë, (sulmuesi) është një person i panjohur për policinë, ka thënë ai, shkruan BBC.
Policia gjithashtu ka përjashtuar mundësinë e një motivi terrorist dhe beson se sulmuesi ka vepruar i vetëm.
Në raportimet e para, autoritetet bënë të ditur se disa persona ishin plagosur, përfshirë edhe sulmuesin. Megjithatë, më vonë u konfirmua se sulmi kishte shkaktuar dhjetë viktima, duke përfshirë edhe vetë autorin e ngjarjes.