“Ditët e mira për shqiptarët po vijnë”, ishte thënia që Riza Lluka përsëriste vazhdimisht. Ai lindi në vitin 1943 në një familje me traditë të gjatë tregtare në Pejë.
Lluka ka qenë delegat i Kuvendit të Kosovës nga viti 1982 deri në vitin 1990 dhe anëtar dhe kryetar i Këshillit për urbanistikë dhe punë komunale në ish-Odën e Punës së Bashkuar të Kosovës.
Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por më pas si deputet i Partisë Parlamentare (1992-1998).
Ai konsiderohej si një njeri i hekurt kundër sistemeve të regjimeve nëpër të cilat po kalonte Kosova asokohe.
Rezistenca e tij bihej në sy si e pashembullt politike kundër aneksimit të Kosovës nga Serbia, dhe angazhimi i tij i vendosur për arsimin shqip.
Në fund të viteve të ‘80-ta kur shqiptarëve po iu rrëmbeheshin të drejtat që kishin brenda ish-federatës së Jugosllavisë nga Serbia e udhëhequr nga Millosheviqi, ky i fundit kishte filluar përpjekjet për të shuar në tërësi hapësirën shqiptare(Kosovën) që kishin mbetur pjesë e Jugosllavisë.
Kjo nismë kulmoi më 23 mars 1989, në Kuvendin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, do të ndryshohej Kushtetuta e vitit 1974, duke e shtypur në këtë mënyrë autonominë e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.
Sipas dëshmive, si nga dëshmitarët ashtu edhe nga transkriptet e asaj kohe, komplotin e kishte zbuluar Riza Lluka, delegat nga Peja.
Nga foltorja e Kuvendit, Lluka kishte kërkuar që të ndalohet votimi i “mysafirëve” dhe të merret parasysh vetëm vullneti i delegatëve. Kështu vota e tyre është e kufizuar. Por, për fat të keq, kjo nuk u arrit plotësisht.
Në pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare, ku dominon imazhi i deputetit Lluka duke ngritur gishtat kundër ndryshimeve, simbolizohet qëndresa dhe përfaqësimi i vullnetit të shumicës shqiptare të Kosovës.
Karriera e Riza Llukës
Riza Lluka ishte këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Pejës për tetë vite me radhë.
Ai do të mbahet mend edhe si misionar i pajtimit të gjaqeve në SHBA, me në krye Anton Çetën gjatë viteve të ‘90-ta.
Lluka ishte një nga nismëtarët e elektrifikimit të rajonit të Rugovës. Ishte Riza… ai që përkrahu luftën e pastër të UÇK-së dhe rimëkëmbjen e Pejës.
Ai është vëllai i Ekrem Llukës, një prej biznesmenëve më të suksesshëm në Kosovë dhe rajon.
Në dekadën e fundit të jetës së tij, Riza punoi si këshilltar i lartë profesional në Korporatën “Dukagjini”, ku themeloi dhe drejtoi radiotelevizionin Dukagjini.
Ai ishte një nga humanistët më të mëdhenj të kohës moderne në Kosovë.
Riza ka mbështetur dhe ndihmuar projektin e shoqatës “Jetimat e Ballkanit” për hapjen e kuzhinës popullore në Pejë. Mbi të gjitha, ai ishte një ndihmës i madh për njerëzit në nevojë.
Më 25 nëntor 2014, në moshën 71 vjeçare u nda nga jeta Riza Lluka.
Para neve aktivistëve të asaj kohe dhe aktivistëve aktualë, gjithmonë ka vetëm një qëllim, t’i përkushtohemi këtij populli që ka vuajtur shumë”, kishte thënë Riza në një deklaratë të dhënë në vitin 2013.