Viti 1989 shënon rënien e shtyllës së fundit që e mbante në këmbë autonominë e Kosovës, brenda Jugosllavisë. 23 marsi ishte dita kritike, sytë ishin drejtuar kah Kuvendit i Kosovës.
Rreth 190 delegatë ia kishin mësyer sallës ku pritej të vendoset nëse Serbia bëhet Zot shtëpie në Kosovë. Pak deputetë e kishin guximin të përballen me presion e tmerrshëm dhe ushtrinë që e kishte blinduar Prishtinën.
Sadik Zuka -Deputet që votoi kundër suprimimit të Autonomisë tha se “Para se me shku aty e kemi pasur me Rizën, i thash Rizë a jemi të fort, tha jemi të fort, më tha z. Sadik qysh kemi vepru deri tash, qatë amanet atë porosoi, tha atë porosi do ta qojna në vend.”
Sadik Zuka kishte punuar ngusht me Riza Llukën gjatë kohës sa ishin deputet. Ai e kujton fort mirë fjalimin e ish-kolegut në foltoren e Kuvendit. Riza Lluka u shpreh kundër heqjes së autonomisë së 74-s, pastaj u ul në mesin e sallës, për ta lënë në histori të gravuar, fotografinë ku me dorën lartë, shpreh bindjen kundër heqjes së autonomisë.
Sadik Zuka – Deputet që votoi kundër suprimimit të Autonomisë tha se “Dorën te naltë, janë Ukë Bytyqi, Melihate Tërmokolli, Riza Lluka, unë, Agim Kastrati, janë 9 ose 10, veç kryesore 12 ishin me abstenime.”
Përpos veprimtarisë politike, Riza Lluka, në Kosovë, e madje edhe në SHBA në krye me Anton Çetën gjatë viteve të ’90, ishte misionar në pajtimin e gjaqeve.
Gjatë viteve 92-98, Lluka u bë deputet në kuadër të institucioneve paralele, dhe ndër vite ofroi krejt çka kishte në shërbim të çlirimit.
Pas angazhimit për rimëkëmbjen e jetës në qytetin e shkatërruar të Pejës, Riza Lluka punoi si këshilltar i lartë profesional në Korporatën “Dukagjini”, ndërsa në dekadën e fundit të jetës së tij ishte në krye të RTV Dukagjini.
Humanisti, patrioti, e intelektuali Riza Lluka vdiq më 25 nëntor 2014, pas një beteje me sëmundjen e kancerit.
Linku i lajmeve :