“10 vjet përjashtim nga garat evropiane”, Batatina paralajmëron padi ndaj Ramiz Shalës: Njeri i pavlerë, kurrë s’kemi marrë asnjë vërejtje

Opinioni futbollistik në Kosovë u shokua nga një deklaratë e dhënë nga opinionisti Ramiz Shala, të dielën në mbrëmje, në emisionin “Krejt n’Debat” në TV Dukagjini.

Shala pretendoi se ka informacione se KF Llapi pritet të dënohet nga UEFA me përjashtim 10-vjeçar nga garat evropiane, për shkak të trukimit të ndeshjeve.

Sipas tij, klubi nga Podujeva do të marrë edhe një dënim monetar që kalon një milion euro, si dhe do t’i hiqet licenca e trajnerit, Tahir Batatinës.

Megjithatë, të gjitha këto i ka mohuar trajneri Tahir Batatina, në një prononcim për TV Dukagjinin. Ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ramiz Shalës.

“Ai me këto deklarata po do të marrë vëmendje, por nga sot do të fillojë padia nga avokati i klubit për dezinformata dhe prishje të imazhit të klubit, jo vetëm ndaj tij, por nga tani e tutje, kushdo që bën deklarata të pa baza dhe prish imazhin e klubit do të përballet me drejtësinë dhe gjykatën. Nuk do të kemi mëshirë për njerëzit që prishin imazhin e klubit për të marrë vëmendje në TV”, tha Batatina.

Tekniku 47-vjeçar beson në pafajësinë e KF Llapit dhe është i bindur se nuk ka asnjë të vërtetë nga ato që ka thënë Shala, të cilin e quan edhe “njeri i pavlerë”.

“Kurrë asnjëherë nuk kemi marrë asnjë email, asnjë vërejtje, asnjë njoftim për asgjë, dhe del një njeri i pavlerë që nuk përfaqëson asgjë dhe flet në TV. Tash le të përgatitet mirë për gjykatë, sepse që nga viti 2013, kur kam marrë Llapin, nuk kemi pasur asnjë vërejtje, madje as më të voglën, nga instancat më të larta. Kjo është sepse çdo vendim i UEFA-s dhe FIFA-s nuk mbahet i fshehur, por publikohet në faqet zyrtare të tyre, pasi ata nuk e njohin askënd, vetëm ligjin dhe rregulloren”, përfundoi Batatina.

Ramiz Shala aludoi gjithashtu se informacionin e njëjtë, siç e ka ai, e posedon edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

“Kam këto informata siç i ka edhe Federata e Futbollit e Kosovës. Sipas informatave tjera, këta kanë me e prit deri të përfundon 75% e garës, edhe në momentin që të arrijë kjo pikë, Federata do ta marrë vendimin”, ka shtuar Shala.

Por, FFK nuk iu është përgjigjur TV Dukagjinit në pyetjet lidhur me këtë çështje.

Televizioni ka dërguar pyetje edhe në drejtim të UEFA-s, por nga institucioni më i lartë i futbollit evropian nuk kanë dhënë detaje për këtë rast.

“Ju drejtojmë me mirësjellje në faqen disiplinore të webfaqes sonë, ku publikohen të gjitha vendimet. Ju lutemi të vini re se UEFA komunikon vetëm për raste/ndeshje të caktuara pasi të jenë hapur procedurat disiplinore dhe/ose të jenë marrë vendime”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në mars të vitit 2023, ishte raportuar nga gazeta franceze “Le Figaro” se një skuadër kosovare është duke u hetuar për kurdisje të ndeshjeve dhe tashmë nëntë persona ishin të arrestuar, ku mes tyre katër kosovarë.

Më vonë, gazeta tjetër franceze “Le Parisien” kishte bërë të ditur se skuadra kosovare që dyshohet për kurdisje të ndeshjeve është KF Llapi.

Këto akuza për kurdisje të ndeshjeve i kishte mohuar KF Llapi përmes një komunikate, duke i cilësuar “shkrime tendencioze” dhe “qëllim keqe”.

Për këtë rast kishin nisur edhe hetimet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilën gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Shija e redaktorit

Nora Gjakova fiton medaljen e bronztë në Paris

Nora Gjakova e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, që është e treta nga Franca për Kosovën. Gjakova e fitoi duelin...

Distria e fiton medaljen e bronzt në Grand Slamin e...

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e bronztë në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris. Xhudistja kosovare fitoi me waz-ari ndaj xhudistet nga...

Shkruan Romeo Çollaku, përkthyesi i romanit “Lugina e lumit Issa”...

Përkthyesi i librit, Romeo Çollaku, ndan me lexuesit historinë e “Lugina e lumit Issa” shkruar nga autori polak Czesław Miłosz. Nga ROMEO ÇOLLAKU Romani Lugina e lumit...

Të fundit nga rubrika