Njëqind persona kanë vdekur si pasojë e një fatkeqësie natyrore në Brazil. Shiu i rrëmbyeshëm kishte shkaktuar rrëshqitje të dheut pranë qytetit të Recife në Brazilin verilindor.
Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kërkimet për njerëzit e zhdukur, pas pasojave të rënda në lagjet e varfëra të cilat u prekën më së shumti në këtë fatkeqësi natyrore.
Presidenti Jair Bolsonaro kishte postuar një video në rrjetet sociale, ku shihej në një aeroplan që fluturonte në zonën e prekur nga katastrofa natyrore, raporton BBC.
Më vonë, ai tha se ishte rrezik që të ulej për shkak të “paqëndrueshmërisë së tokës”.
Rreth 1200 persona të ekipeve të shpëtimit përmes varkave e helikopterëve u vendosën në shtetin e Pernambuco-s, ku edhe kishte ndodhur fatkeqësia.
Luiz Estevão Aguiar tha për TV Globo se kishte humbur 11 të afërm.
“Më vdiqën motra, kunati, 11 persona nga familja ime, ishte e vështirë… Nuk e prisja këtë”, tha ai i përlotur.
Flávio José da Silva po kërkonte njerkun e tij Gilvan në rrënojat e asaj që dikur ishte shtëpia e tij.
Ai tha se pak pasi u shemb, kishte dëgjuar Gilvanin të thoshte: “Unë jam këtu, nën tokë”. “Shpresojmë ta gjejmë të gjallë”, tha Silva, duke treguar një grumbull mbeturinash.
Përmbytjet vdekjeprurëse dhe rrëshqitjet e dheut kanë vrarë qindra njerëz në Brazil gjatë vitit të kaluar.
Ekspertët e lidhin motin e keq me La Niña, një efekt klimatik në Oqeanin Paqësor që mund të ndikojë në motin e mbarë botës.
Shumë faktorë kontribuojnë në përmbytjet, por një atmosferë ngrohëse e shkaktuar nga ndryshimet klimatike i bën më të mundshme reshjet ekstreme.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.