Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të mërkurën aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarve M.M, F.M, G.N, V.H, A.R, O.E, F.B, RR.B, Q.M, M.K, S.B, A.Q dhe A.H.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se të akuzuarit, M.M dhe F.M janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, dënim i cili nuk do të ekzekutohet derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
I akuzuari G.N është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një një viti e gjashtë muaj, për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Të akuzuarit V.H, A.R, F.B, RR.B, S.B, A.Q, A.H, janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, secili veç e veç, për veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm nga neni 300 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimet të bëhen të formës së prerë. Në bazë të nenit 44 paragrafi 1 të KPRK-së, me pëlqimin e të pandehurve dënimi me burg prej gjashtë (6) muaj, do t’ju zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 5000 €, të cilin dënim do ta paguajnë në afat prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se obligohet secili veç e veç që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind eurosh, ndërsa shumën prej njëqind eurosh për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, të gjitha t’i paguajnë në afat prej 15 ditësh, por jo më gjatë se tre muaj, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të gjitha aparatet që janë përdorur në kundërshtime me dispozitat ligjore në fuqi, konfiskohen. Gjykata ka marrë aktgjykim lirues për të akuzuarin A.B, pasi nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Ndërkaq, ka refuzuar aktakuzën për të pandehurin O.E, pasi prokurorja e kësaj çështjeje në fjalën përfundimtare është tërhequr nga aktakuza.