12 librat e propozuar nga shtëpia botuese “Dukagjini, që duhet t’i lexoni gjatë këtij viti

Tashmë kur viti ka nisur me ritmin e vet, me siguri jeni duke bërë plane se si t’i shfrytëzoni në mënyrë sa më kualitative ditët. Në mesin e gjërave që do t’i vëni synim, me shumë gjasë janë edhe një mori librash që presin t’i lexoni

Librat e rekomanduar

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka një propozim prej 12 titujsh, që konsideron se duhet t’i lexoni gjatë këtij viti. Në një ndarje optimale, jo me çdo kusht sipas kësaj renditjeje, ju mund t’i vëni vetes synim që ta lexoni së paku një libër në secilin muaj:

  1. Varfanjaku i Zotit – Nikos Kazanxaqis

“Varfanjaku i Zotit” është historia e Françeskut të Asizit, shenjtorit të pashoq, që ndryshoi rrugën e të menduarit dhe të afruarit me Zotin. Një rrëfim prekës, i thellë, i jashtëzakonshëm që, përmes shembullit të jetës së Françeskut, na fton të kthehemi kah shpirtërorja dhe kah humania. Një libër mbi përkohshmërinë e mishit dhe përjetësinë e shpirtit, por mbi të gjitha për përjetësinë e letërsisë.

“Varfanjaku i Zotit”, i shkruar nga Nikos Kazanxaqisi, i njohur dhe i vlerësuar në gjithë botën, i çmuar dhe i adhuruar nga shumë shkrimtarë të tjerë, me letërsinë e tij, i riktheu Greqisë shkëlqimin e letërsisë antike. Libri është pjesë e kolanës ANIMA. Me përkthim nga Romeo Çollaku, shtëpia botuese “Dukagjini” u vlerësua për përkthimin më të mirë në edicionin e 25-të të librit “Tirana 2022”.

  1. Ujku i stepës – Hermann Hesse

“Ujku i Stepës” nga Herman Hesse është një rrugëtim brenda vetes, si dhe një strukturë shpirtërore vetjake. Në këtë kuptim, “Ujku i Stepës” ruan magjinë e letërsisë si roman, mençurinë filozofike si traktat dhe habinë e pikëllimin për fatin njerëzor si testament.

Ky është njëri prej librave më të njohur të prozatorit, eseistit dhe poetit zvicerano-gjerman, dhe rrjedhimisht njëri ndër romanet më në zë të shekullit XX. Nëse e keni lexuar tashmë, ju rekomandojmë që ta zëvendësoni propozimin tonë me njërin nga tre librat e tjerë të Hesse-s, të shqipkthyer tashmë nga “Dukagjini, si “Peter Camenzind”, “Demiani” dhe “Nën rrotë”.

  1. Frida – Hayden Herrera

“Biografia e Frida Kahlos”, artistes meksikane që mjeshtërisht dhe në mënyrë tejet origjinale arriti ta transformonte dhimbjen (e saj) në art, ta përziente realitetin me fantazi dhe ta shpërfaqte kontraversalitetin e saj artistik, duke krijuar, kështu, identitetin meksikan në pikturë. Frida Kahlo nuk është vetëm një figurë e rëndësishme e historisë së artit, por, gjithashtu, edhe një grua ikonë e lëvizjes feministe të kohës. Hayden Herrera sjell ngjarjet më interesante të Fridës, si obsesioni me artistin Diego Rivera, lidhja me burrat e tjerë, kuptimi dhe motivet e pikturave, aksidenti që ia ndryshoi jetën etj. Marsi është muaji ideal për ta lexuar këtë biografi, që ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm në gjithë botën.

  1. Maitreji – Mircea Eliade

Në prill, ju sugjerojmë t’i ktheheni kolanës “Anima” dhe të ndaleni te libri i shtatë i saj, që është “Maitreji”, i shkruar nga Mircea Eliade, një ndër personalitetet më të mëdha, të njohura botërisht, të shekullit XX. Eliade, studiues, teoricien, filozof dhe shkrimtar, në këtë roman, më shumë sesa për erudicionin që e karakterizon personalitetin e tij, preokupohet për emocionin dhe na sjell një histori sa të bukur, po aq edhe të dhimbshme dashurie, që ballafaqon dy kultura krejtësisht të ndryshme.

Kjo është historia tragjike e dashurisë mes Maitrejit dhe Alanit, një indianeje dhe një anglezi, kulturat e ndryshme të të cilëve bëhen përcaktuese për kursin e tyre jetësor. Romani është përkthyer nga Maniela Sota.

  1. Ontologjia e artit të shtatë – Glauk Konjufca

“Ontologjia e Artit të Shtatë” trajton formësimin e kinemasë, përmbajtjen e saj, vijëzimet ontologjike që kanë lënë gjurmë si veçim i vlerave epokale dhe un-ët mjeshtërorë kinematografikë e filmikë. Bashkë me librin “Epistema e Dhomës së Zezë”, janë dy libra që, përmes një qasjeje filozofike, trajtojnë historinë dhe zhvillimin e kinematografisë botërore. Librat e Konjufcës sjellin një model të ri analize teoriko-filozofike të artit të shtatë dhe të gjitha elementeve përbërëse, si dhe na ndihmojnë ta njohim më mirë këtë zeitgeist të fundshekullit XX.

  1. Mëngjes te Tiffany – Truman Capote

“Mëngjes te Tiffany” është ndër librat më të përfolur të shekullit XX.

E shkruar nga Truman Capote, një ndër emrat më kontrovers të artit amerikan, kjo novelë arriti famë botërore, e cila u nxit edhe nga ekranizimi i këtij libri dhe nga loja e yllit hollivudian, Audrey Hepburn.

Një roman i këndshëm që tërheq çdo tip lexuesi dhe që jetën e përditshme e të zakonshme e shndërron në art. “Mëngjes te Tiffany” nuk është vetëm historia e Hollit, por e çdo vajze që i tejkalon konvencat shoqërore dhe e jeton jetën ashtu siç ka dëshirë. Lexohet në çdo kohë, por ne e rekomandojmë për ta nisur mbarë verën e leximeve.

  1. Gjej kohë – Jake Knapp dhe John Zeratsky

Kur ta lexoni librin “Gjej kohë” nga Jake Knapp dhe John Zeratsky, patjetër do të thoni se ky është libri më i mirë për menaxhimin e kohës, të cilin e kam lexuar ndonjëherë. Aty nuk bëhet fjalë për të bërë më shumë punë, por me gjetjen e kohës për të bërë atë që vërtet ka rëndësi për ju. Çdo ditë.

Pra, “Gjej kohë” thërret për rimendimin e standardeve të punës së vazhdueshme dhe shpërqendrimit, në mënyrë që të mund të përqendroheni në atë që ka rëndësi çdo ditë për ju. Ky libër nuk propozon zgjidhje joreale, si, ta zëmë, hedhja e telefonit të mençur. Po ashtu, të fitosh kohë nuk ka të bëjë me rishikimin rrënjësor të stilit të jetesës, por ka të bëjë me ndërrime të vogla në mjedisin tuaj, për ta çliruar veten nga zënia dhe shpërqendrimi i vazhdueshëm.

Libri kërkon domosdoshmërisht atë lexues që ka menduar të paktën një herë: “Ah, sikur të kishte më shumë orë në ditë!”. “Gjej kohë” do t’ju ndihmojë të ndaloni së reaguari në mënyrë pasive ndaj kërkesave të botës moderne dhe të filloni të gjeni qëllimisht kohë për gjërat që kanë rëndësi.

  1. Pse s’ma ka thënë njeri më parë – Dr. Julie Smith

“Pse s’ma ka thënë njeri më parë“ është një libër i mbushur me këshilla praktike se si mund t’u bëjmë ballë ulje-ngritjeve në jetën tonë. Dr. Julie Smith, përmes trajtimit të situatave të përditshme jetësore, na ofron zgjidhje që do të mund të na e ndryshonin tërësisht mënyrën e të menduarit.

Psikologia Smith fton për vetëkontroll dhe na mëson se si mund t’i tejkalojmë në mënyrë të lehtë situatat që na e vështirësojnë jetën.

  1. TRURI I FËMIJËS si tërësi e integruar – Daniel J. Siegel dhe Tina Payne-Bryson

“Truri i fëmijës si tërësi e integruar” është një libër manual që ne ia rekomandojmë secilit prind, kujdestar a mësues që kujdeset për fëmijët, ta lexojë kurdo. Në këtë rast, ia kemi rezervuar shtatorin, si muajin e nisjes së vitit të ri shkollor.

Ky libër sjell strategji efikase (me bazë shkencore) se si ta edukojmë mendjen e fëmijës dhe se si ai të përfitojë nga situatat e zakonshme në formësimin e trurit. Ky libër e bën më të lehtë, veçanërisht, edukatën prindërore dhe ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të afërta me fëmijën.

  1. Inteligjenca artificiale – Matt Burgess

Rekomandimi i dhjetë i “Dukagjini”-t është libri “Inteligjenca artificiale” nga Matt Burgess. Libri shtron pyetjen se si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?

Në fakt, libri ofron të gjitha përgjigjet për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe për atë se çka e pret njerëzimin në të ardhmen, duke pasur parasysh ritmin e zhvillimit të IA-së.

  1. Sonata e Krojcerit – Lev Tolstoi

Rekomandimi i radhës vjen sërish nga kolana ANIMA. “Sonata e Krojcerit” e Lev Tolstoit, libër i autorit klasik rus, që trajton një ndër çështjet më fundamentale shoqërore, atë të martesës, problemeve që e shoqërojnë atë dhe luhatjen e individit mes dashurisë, xhelozisë dhe urrejtjes. Novela shoqërohet me një parathënie, që shpjegon ambientin kontekstual në të cilën u ngjiz ajo, ndërsa pasthënia, e shkruar nga vetë Tolstoi, përveç rrethanave të krijimit të novelës, shpërfaq idetë, mjaft aktuale, të autorit rreth problemeve shoqërore që prekin dhe ndikojnë institucionin e martesës. Libri është përkthyer nga Agron Tufa.

  1. Mjegull – Miguel de Unamuno

Jo për t’ju lënë në mjegull, libri i fundit i rekomanduar për këtë vit është “Mjegull” nga Miguel de Unamuno, që konsiderohet një ndër romanet më të mira të këtij autori që solli ndryshime të mëdha në letërsinë botërore, qoftë për nga trajtimi tematik, qoftë për nga risitë narratologjike. Personazhi i Unamunos gjendet gjithnjë në zgrip, duke u luhatur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes reales dhe irreales, së vërtetës dhe së pavërtetës; dhe përmes këtij rrëfimi, autori trajton problemin më të madh të qenies njerëzore, dyshimin në ekzistencën e vet. Mendoj, prandaj jam apo jam, prandaj mendoj, fraza dekartiane bëhet lajtmotiv i këtij romani që, përveç lojës narratologjike dhe diskursit filozofik, shoqërohet fund e krye me një sentimentalizëm që rrjedh nga naiviteti i personazhit kryesor, Augusto Perezit. Libri është përkthyer nga Orjela Stafasani.

Të gjithë librat i gjeni në librarinë “Dukagjini”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika