13 tetori, ditë shprese për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së

Njohësit e integrimeve evropiane kanë thënë se 13 tetori mund të shndërrohet në një datë historike për popullin dhe shtetin e Kosovës. Sipas pikëpamjeve të tyre, nëse ka pajtueshmëri mes palëve në grupin punues të Këshillit Evropian, atëherë çështja e liberalizimit të vizave do të pasojë vetëm me procedurat e teknikaliteteve burokratike

Ilustrim, flamuri i Kosovës dhe i BE-së


“Do të ishte një sinjal i gabuar nëse Bashkimi Evropian do të merrte një vendim negativ. Nëse edhe në dritën e zhvillimeve dramatike që po ndodhin në Ukrainë, do të merret një vendim kundër, atëherë nuk e di pse duhet të besojmë te BE-ja”.

Kështu ka deklaruar ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti, për Portali Dukagjini, në lidhje me liberalizimin e vizave, që pritet të jetë në rend dite të grupit punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian, të enjten e 13 tetorit.

Hoti ka thënë se gjatë zhvillimeve të fundit në takimet e ndryshme të liderëve të shteteve anëtare të BE-së, është parë një disponim pozitiv karshi liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti

“Por mund të ketë ende qëndrime ngurruese nga disa shtete, kjo do të shihet të enjten e 13 tetorit”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, ka ardhur koha që BE-ja të përfundojë punën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kosova ka plotësuar dyfishin e kritereve përkundër shteteve në rajon. Çdo shtyerje do të ishte e pakuptim. Kredibiliteti i saj do të bjerë para syve të qytetarëve kosovarë, që me të drejtë do të pyesin: pse diçka elementare si lëvizja e lirë, na mohohet përkundër kritereve të plotësuara”.

Për Hotin, agresioni i paprovokuar rus kundër Ukrainës e ka ndërgjegjësuar lidershipin evropian për rrezikun që i kanoset rajonit të Ballkanit.

Hoti ka theksuar se lista e reformave që kërkonte BE-ja nga Kosova që të përfitojë regjimin pa viza, ka vite që është dorëzuar.

“BE duhet të jetë e vetëdijshme se dialogu për liberalizimin e vizave ka filluar para 10 vitesh dhe ka 4 vite nga përmbushja e kritereve të kërkuara, plus rekomandimet pozitive të Parlamentit dhe Komisionit Evropian”.

Sipas tij, minimumi që mundet të bëjë në këtë kohë Bashkimi Evropian është që, më 13 tetor të marrë vendimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Uroj që 13 tetori si ditë e zakonshme e kalendarit vjetor, të jetë një ditë më ndryshe për qytetarët e Republikës së Kosovës, të jetë ditë feste për pritjen e gjatë”, ka vijuar ai.

Nëse ka vendim pozitiv për Kosovën nga BE, ai ka thënë se “nuk duhet përjashtuar mundësinë që edhe më 1 janar të vitit 2023 të lëvizim pa viza në zonë shengen”.

Ngjashëm mendon edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, i cili për Portali Dukagjini është shprehur se, përkundër të gjitha paradokseve në këtë trajektore të përvitshme, nuk ka asnjë logjikë e asnjë moral që edhe në vitin e ardhshëm, BE-ja të vazhdojë t’ua mohojë kosovarëve lëvizjen e lirë.

“Viti 2023 do të jetë koha e korrigjimit të një padrejtësie evropiane ndaj nesh”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Ndër të tjera, njohësi i çështjeve politike ka thënë se këtë herë, të gjithë indikatorët çojnë drejt optimizmit të bazuar në realitet.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri

Sipas tij, 13 tetori mund të shndërrohet në një datë historike për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Si sfidë e 13 tetorit, ai ka thënë se mund të jetë ndërlidhja eventuale e procesit të liberalizimit me procesin e dialogut.

“Është padrejtësi, por duket që vendimet strategjike do t’i determinojnë edhe këto dinamika. Rëndësi të madhe do të ketë edhe ofrimi i garancive tona shtetërore për mënyrën e menaxhimit të liberalizimit – veçanërisht, në fillimet e tij”, ka theksuar Muhaxhiri.

Ndërsa, nëse ka një vendim pozitiv të enjten, ai ka thënë se procedurat e teknikaliteteve burokratike mund të zgjasin deri në gjashtë muaj.

Po ashtu, edhe ish-zëvendësministri i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, për Portali Dukagjini, ka thënë se nëse ka pajtueshmëri për të ecur tutje pas takimit të së enjtes të grupit punues për vizat, atëherë do të vijojnë procedurat e mëtutjeshme si miratimi i pozicionit negociues në Këshill, si dhe pajtimi në mes të Këshillit, Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, përmes trialogjeve.

Ai ka thënë se qëllimi i tyre është të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për një tekst të pranueshëm për të dy, Këshillin dhe Parlamentin.

“Pastaj si fazë e tretë vjen votimi në Seancë Plenare të Parlamentit Evropian, në lexim të parë me shumicë të thjeshtë, në lexim të dytë me shumicë absolute”, ka deklaruar ai.

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu

Pas kësaj procedure, sipas Kryeziut, duhet të ketë miratim nga Ambasadorët COREPER II dhe nga Këshilli i Ministrave me shumicë të kualifikuar.

E pas të gjitha këtyre procedurave, ai ka potencuar se vjen “Ceremonia e nënshkrimit, publikimi në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi”.

Ndryshe, sot (të enjten) e 13 tetorit, liberalizimi i vizave do të jetë temë diskutimi e grupit punues të Këshillit Evropian.

Komisioni Evropian, disa herë, ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave.

Madje, këtë e ka potencuar edhe të mërkurën, duke prezantuar raportin për Kosovën, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ndërkaq, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, BE-ja nga të dyja vendet kërkon që t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e arritura më herët në dialog, ndërsa u kërkohet edhe angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Për të fituar liberalizimin, një shtet duhet të kalojë nëpër 13 hapa.

Ndërsa, Kosova deri më tani ka kaluar katër të tillë. Kosova është shteti i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit, nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në Bashkimin Evropian (BE).

Në vitin 2012, Kosova e kishte marrë udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave nga BE-ja, ku ishin caktuar 95 kritere, që ishte dyfishi i kritereve krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.

Pas katër vjetësh, shteti i Kosovës i kishte plotësuar të 95 kriteret e caktuara nga BE.

Por përkundër kësaj, vendi ynë vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk ka liberalizim të vizave.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika