14 vrasje kanë ndodhur përgjatë nëntë muajve të këtij viti në Kosovë. Nga janari deri në shtator janë regjistruar edhe 1981 raste të dhunës në familje, thuhet në raportin nëntëmujor janar-shtator 2024 të Policisë së Kosovës.
Në raport thuhet se numri i përgjithshëm i rasteve të këtij nëntëmujori krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023 ka shënuar ulje, nga 36,263 në 35,818 raste. Po ashtu, edhe rënie të veprave penale nga 20,417 në 20,311.
Nga të dhënat e mbledhura të Policia të cilat janë krahasuar me një vit më parë ka dalë se, vrasjet nga 25 raste kanë rënë në 14 raste në periudhën nëntëmuajshe; lëndim i rëndë trupor nga 167 në 163; vjedhjet nga 3134 në 2825; vjedhjet e rënda nga 2082 në 1592; grabitjet nga 65 në 57 dhe dhuna në familje nga 1897 raste në 1981 raste, ose rritje për 4.4%.
Në raport paraqitet edhe numri i aksidenteve, që sipas Policia ka pasur më pak se për nëntë muajt e 2023-tës – nga 17,424 në 17,005 aksidente më 2024.
E aksidente me fatalitet nga janari deri në shtator 2024 janë regjistruar 65.
Për këtë periudhë Policia ka konfiskuar 939 armë.
“Disa statistika rreth veprave penale që trajtohen nga ky departament: Vrasjet nga 25 raste në 14 raste, rënie -44%, lëndim i rëndë trupor, nga 167, në 163, rënie për -2.4%, lëndim i lehtë trupor, nga 2011, në 1996, rënie për -0.75%, vjedhjet kanë shënuar rënie nga 3134, në 2825, rënie për -9.9%, vjedhjet e rënda kanë shënuar rënie nga 2082, në 1592, rënie për -23.5%, grabitjet kanë shënuar rënie nga 65, në 57, rënie për -12.3%, dhuna në familje, nga 1897, në 1981, rritje për 4.4%. Është shënuar ngritje në shkallën e zbulimit të përgjithshme të rasteve për 1.18 %. Gjatë kësaj periudhe kohore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i urdhëresave të gjykatave të realizuar është rritur për 14.8%, ose nga 14170, në 16263”, thuhet në njofitm.