Një takimi të rëndësishëm që i kanë mbetur vetëm 8 ditë për tu zhvilluar po i paraprijnë vizita po të asaj rëndësie.
Bëhet fjalë për takimin e Ohrit që do t’i bashkojë edhe një herë në tavolinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Marrëveshja që synon të arrihet e ka sjellur Lajçakun tash e dy ditë në Prishtinë e do ta mbajë edhe për dy ditë të tjera në Beograd.
Deklarata e emisarit evropian se Kurtit, BE-ja ia ka propozuar 15 modele të implementimit të marrëveshjes, nuk u ka pëlqyer njohësve të çështjeve politike në vend.
Abit Hoxha ligjërues universitar thotë kjo është dëshmi se as Bashkimi Evropian s’ka plan të qartë.
Ai nuk përjashton mundësinë që nënshkrimi i marrëveshjes të ndodhë në takimin e Ohrit por sipas tij, një gjë e tillë nuk është kurrfarë sigurie për Kosovën.
“Kjo tregon një farë mosserioziteti të EU-së, për shkak se opsione të tillë ka shumë gjerë, mund të jetë modeli i Tirolit, modeli i asociacionit të komunave në Kroaci, apo tjera megjithatë modeli më i mirë i Kosovës do të ishte që të burojë nga vetë institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Nga ana tjetër profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dorajet Imeri nuk pret përfundim të marrëveshjes në Ohër.
Ai thotë se është momenti që Kosova të implikohet sa më shumë në planin për zbatimin e marrëveshjes.
“Në Ohër me gjasë do të diskutohet implementimi I marrëveshjes, dhe pastaj aty varësisht nga dinamikat, varësisht nga qëndrimet që do ti kenë palët, do të mund të caktohet pastaj edhe procesi, potencial i përmbylljes me një ceremoni të nënshkrimit të marrëveshjes, përsëri po e them, nëse kjo do të pranohej nga Serbia. Sepse me gjasë ka disa lëvizje që po bëhen atje sa për të treguar se është e vështirë për Serbinë të nënshkruaj një gjë të tillë, dhe të tentojnë të provojnë të fitojnë edhe më shumë në planin për zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë Imeri.
Sa i përket takimit që pritet të mbahet në Ohër, Kryeministri Kurti është shprehur se pret qe të ketë nënshkrim përfundimtar të marrëveshjes.