15 të vrarë në Liban nga forcat izraelite pas mosrespektimit të afatit të tërheqjes

Forcat izraelite vranë 15 persona dhe plagosën mbi 80 të tjerë në Libanin jugor, pasi afati për tërheqjen e tyre dhe largimin e Hezbollahut nga zona nuk u respektua plotësisht

Ushtarët izraelitë kanë vrarë 15 persona dhe kanë plagosur më shumë se 80 në Libanin jugor, thotë ministria libaneze e shëndetësisë, pasi ushtria izraelite mbeti në disa pjesë të vendit pas skadimit të afatit për tërheqjen e tyre dhe largimit të Hezbollahut nga zona.

Të dielën në mëngjes, mijëra banorë u kthyen në qytete dhe fshatra përgjatë kufirit, pavarësisht paralajmërimeve nga ushtritë libaneze dhe izraelite dhe OKB-ja, se rajoni mbeti i pasigurt.

Izraeli ka trheksuar se marrëveshja 60-ditore e armëpushimit me Hezbollahun nuk ishte zbatuar plotësisht dhe mbeti e paqartë se sa prej ushtarëve të tij mbetën në Liban ose sa kohë do të qëndronin.

Sipas ministrisë libaneze të shëndetësisë, forcat izraelite sulmuan njerëzit teksa përpiqeshin të hynin në vende që ishin ende nën okupim. Ushtria libaneze tha se një nga ushtarët e saj ishte vrarë dhe një tjetër u plagos nga zjarri izraelit.

Ushtria izraelite tha se kishte gjuajtur “të shtëna paralajmëruese në zona të shumta” të Libanit jugor, pa specifikuar nëse njerëzit ishin goditur dhe ka kapur disa njerëz që pretendonte se përbënin një “kërcënim të afërt”.

Marrëveshja e armëpushimit, e cila u ndërmjetësua nga SHBA dhe Franca dhe i dha fund konfliktit 14 mujor, përcaktoi tërheqjen e trupave izraelite dhe largimin e luftëtarëve dhe armëve të Hezbollahut nga Libani jugor. Në të njëjtën kohë, mijëra ushtarë libanezë pritej të dislokoheshin në zonën ku, për dekada, Hezbollahu ka qenë forca dominuese.

Një zyrtar diplomatik perëndimor i njohur me negociatat, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Izraeli kishte thënë se i duhej më shumë kohë për të shkatërruar infrastrukturën e Hezbollahut në Libanin jugor dhe se plani fillestar ishte për një zgjatje 30-ditore.

Ditët e fundit, stacioni televiziv i Hezbollahut, Al Manar, u shfaq duke inkurajuar njerëzit të ktheheshin në jug dhe, në disa vende, autokolona mbërritën duke valëvitur flamurin e verdhë dhe jeshil të grupit.

Kalimi i afatit të armëpushimit është testi i parë i madh për presidentin e ri libanez, shefin e ushtrisë Joseph Aoun, i cili dëshiron të sjellë stabilitet në një vend të rraskapitur nga krizat e shumta.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, ai tha se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Libanit janë të panegociueshme”, duke shtuar se ai “po e ndiqte këtë çështje në nivelet më të larta”.

Konflikti u përshkallëzua shtatorin e kaluar, duke çuar në një fushatë intensive ajrore izraelite në të gjithë Libanin, vrasjen e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut dhe një pushtim tokësor të Libanit jugor. Ofensiva vrau rreth 4,000 njerëz në Liban – duke përfshirë shumë civilë – dhe çoi në zhvendosjen e më shumë se 1.2 milion banorëve.

Të premten, zyra e kryeministrit izraelit tha se tërheqja e përshkruar në armëpushimin ishte “e kushtëzuar nga dislokimi i ushtrisë libaneze në Libanin jugor dhe zbatimi i plotë dhe efektiv i marrëveshjes, ndërsa Hezbollahu tërhiqet përtej Litanit”, një lumë rreth 30 km (20 milje) nga kufiri jozyrtar midis Libanit dhe Izraelit i njohur si Linja Blu./BBC

Shija e redaktorit

Diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

Nën intonimin e himnit të Kosovës është bë hapja zyrtare e ceremonisë së diplomimit të 462 kadetëve të Policisë së Kosovës të gjeneratës së...

Sot mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 61-të të...

Sot (e premte) në sallën “1 Tetori” në Prishtinë do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës. Nga ora...

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Të fundit nga rubrika