2 muaj pas sulmit në Banjskë, Elshani: Situata në veri e qetë, por delikate

2 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, zv.drejtori i policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani vlerëson se situata në veri është e qetë por delikate

2 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, situata në veri po konsiderohet e qetë, por delikate.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, në emisionin “FIVE”  ka thënë se Policia është duke punuar në veri të vendit përmes mundësive që ka që të përballojë situata të tilla sikurse ajo e 24 shtatorit.

“Situata e qetë, mirëpo delikate, jemi duke punuar në veri të vendit përmes mundësive që kemi. Jemi në atë pikë që përballemi me çfarëdo situate nëse ato ndodhin”, ka thënë Elshani.

Elshani ka mirëpritur vendimin e EULEX-it për dërgimin e gjashtë këshilltarëve policorë, të cilët do të punojnë në katër stacionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe EULEX-in.

“Ne kemi bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe Policinë kufitare që kanë patrullim të përbashkët, kemi takime të rregullta me ta dhe këshilltarët e EULEX-it, takohemi me pjesëtarë të tyre”, ka vijuar ai.

Ndryshe, sulmi terrorist i 24 shtatorit u përshkrua si një nga incidentet më të rënda ndër vite dhe ndodhi pas disa muajsh tensione të larta midis Kosovës dhe Serbisë.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin para gazetarëve më 24 shtator.

Atë ditë, grupe të armatosura sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Një muaj pas, Kurti tha se sulmin “e kreu Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

Zyrtarët kosovarë i quajtën ata “terroristë” dhe thanë se u organizuan nga udhëheqja e shtetit serb.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe, kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë”, shkroi Kurti në Facebook më 23 tetor.

Në të njëjtin postim, ai përmendi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e quajti “capo-di-tutti-capi” – një term që zakonisht përdoret për të përshkruar udhëheqësin kryesor të një mafie.

Në ditën e sulmit, Policia e Kosovës arrestoi disa sulmues, por shumica prej mbi 80 sosh ikën nga vendi i ngjarjes.

Gjatë një muaji hetimi e bastisjeje, ata konfiskuan sasi të mëdha armatimi – nga granatahedhësit deri tek eksplozivët.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokalë” dhe akuzoi Kurtin për, siç u shpreh, “terrorizimin” e serbëve në veri të Kosovës.

Ai mohoi se Serbia ka gisht në ngjarjen në Banjskë dhe tha se do t’i bëjë hetimet e veta.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Stane Gashi, nëna e UÇK-së

Nue Gashi dhe heroina, gruaja Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, 3 vajza e 8 djemë. 3 prej djemve luftuan me armë në duar nën...

Të fundit nga rubrika