Rreth një milion euro do të përfitojnë 20 komuna të Kosovës, për projektet infrastrukturore për komunitete.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, të enjten e ka nënshkruar vendimin i cili përkrah këto komuna, në kuadër të programit për mbështetje për projektet infrastrukturore për komunitete.
“Sot kam nënshkruar marrëveshjet me 20 komunat përfituese, në kuadër të programit për mbështetje për projektet infrastrukturore për komunitete në Komunat e Republikës së Kosovës. MAPL do të mbështesë 28 projekte në 20 komuna në vlerë prej 1 milion euro”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi i ka përmendur komunat të cilat sipas tij do të jenë përfituese.
“Komunat përfituese nga programi për mbështetje për projektet infrastrukturore për komunitete janë: Prizreni, Lipjani, Rahoveci, Shtimja, Gjilani, Mamusha, Istogu, Kamenica, Hani i Elezit, Mitrovica e Jugut, Gjakova, Obiliqi, Suhareka, Ferizaj, Klina, Skenderaj, Novobërda, Peja, Deçani dhe Kllokoti”, thuhet në njoftimin e tij.
Në njoftimin e tij, thuhet se MAPL do të vazhdojë të mbështesë komunat për projekte infrastrukturore edhe në të ardhmen.