Në raportimin e saj para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Viktimave të Dhunës Seksuale, të Kuvendit të Kosovës, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se në periudhën 2021-2022, janë raportuar njëzet raste të dhunës në shkollat e Kosovës.
Ministrja Nagavci ka thënë se, aktualisht në ministri janë të punësuar 28 inspektorë të arsimit, dhe se kanë bërë kërkesë për ta shtuar këtë numër në 83, për t’i plotësuar nevojat që ka ky sektorr. Kjo kërkesë sipas saj, është pranuar dhe se tashmë inspektorët janë në fazën e rekrutimit.
“Jemi në rekrutimin e tyre. Zakonisht kemi raste të dhunës në komunat që janë më të mëdha, por, nuk adresohen të gjitha llojet e dhunës. Ka edhe rastet të tjera që janë më të vështira për t’u adresuar siç është pabarazia sociale”, ka deklaruar Nagavci.
Tutje, e para e arsimit në Kosovë ka thënë se për të diskutuar në lidhje me rastet e dhunës, si ministri kanë mbajtur takime me përfaqësuesit e drejtorive të arsimit në nivel komunash. Ajo, gjithashtu, ka bërë të ditur se kanë punuar ngushtë me inspektoratin e arsimit që të rritet mbikëqyrja në shkollat e Kosovës.
Në raportimin e saj, ministrja Nagavci ka folur edhe për shtimin e numrit të çerdheve, duke thënë se janë ndarë pesë milionë euro për ndërtimin e tyre.