“Edhe pse jemi rritur në një vend të vogël të izoluar, kemi shumë për të ofruar për botën”.
Kështu ka thënë Edona Salihu, një 20-vjeçare nga Ferizaj, e cila është pranuar si praktikante në gazetën amerikane “New York Times”.
Në një linjë direkte në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, Salihu ka thënë se ëndrra e saj është që eksperiencën që e merr në këtë kompani të madhe, ta sjellë në Kosovë.
Ajo është shprehur e lumtur që ka arritur të pranohet në këtë kompani, ku do të bëjë praktikë si programere.
“Lajmin e mora para 1 muaji, ka qenë një lajm shumë i mirë, isha shumë e lumtur që munda të pranohem që të bëj praktikë si programere. E kam ëndërr që të kthehem në Kosovë dhe t’u ndihmoj të gjithë studentëve që janë të interesuar në fushën e programimit, por fillimisht po dua të marrë përvojë dhe eksperiencë prej kompanive të njohura dhe t’i sjell në Kosovë të gjitha ato njohuri që unë kam mundur t’i shoh jashtë”, ka thënë Salihu.
“Do të jem inxhinierja e Software, do të jem praktikante në programim, do të ndihmoj në menaxhimin e të dhënave, në krijime të aplikacioneve dhe të menaxhoj çdo gjë që ka lidhje me programim ose kodim të ‘New York Times’”.
Ajo ka thënë se përafërsisht praktika do të zgjasë rreth tre muaj.
Salihu ka potencuar se “New York Times” është “një mundësi ose një derë e hapur për të gjithë ata studentë që janë të interesuar në këtë drejtim ose të punojnë në këto kompani të mëdha që të kenë mundësi të jenë pjesë e tyre”.
Megjithatë, ajo ka treguar se kjo nuk është puna e parë e saj.
“Nuk është puna ime e parë, kam punuar në Google, kam bërë hulumtim në shkencat kompjuterike, hulumtim në tema të caktuara”.
Sa u përket hapave, ajo ka sugjeruar që të interesuarit që duan të aplikojnë në këto kompani, të jenë të përgatitur në mënyrë që ta përfaqësojnë veten në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Kalon nga një proces të madh të selektimit, merr shumë muaj, thjesht jepeni maksimumin, përgatituni që në momentin që ata ju japin një thirrje që të vazhdoni me procesin e aplikimit, ju të jeni të përgatitur dhe ta përfaqësoni veten në mënyrën më të mirë të mundshme dhe mos e humbisni mundësinë”.