20 vjet burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen te tregu në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 20 vite burg të akuzuarin Shefki Asllani për vrasjen e V.F. në vitin 2021 në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shefki Asllanit, duke e dënuar me 20 vjet burgim për vrasjen e V.F., më 17 prill 2021 në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë.

Aktgjykimi u shpall sot(e premte) nga gjykatësja e rastit, Raima Elezi.

Sipas aktgjykimit, Asllani u shpall fajtor për “Vrasje të rëndë” dhe u dënua me 20 vjet burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Kurse, të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt civil.

Të akuzuarit i konfiskohet pistoleta, si mjet i kryerjes së veprës penale. Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

I akuzuari Asllani obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës sipas llogarisë së gjykatës. Në emër të ekspertizave dhe prezencës së ekspertëve në shqyrtim gjyqësor, në emër të paushallit gjyqësor obligohet të paguajë shumën prej 500 euro dhe në emër të fondit për kompenismin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo Gjykatë kishte pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, e si pasojë e lëndimeve vdes.

Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu./BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Osmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Kosova dhe SHBA-të do...

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Zëvendës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma. Osmani pas takimit me zëvendës-ndihmës amerikan tha...

Të fundit nga rubrika