Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues për katër të akuzuar në rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.
Nedelkjo Spasojeviq është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, duke llogaritur paraburgimin dhe arrestin shtëpiak, dhe është gjobitur me 4500 euro (me opsion të zëvendësohet me burgim).
Marko Roshiq është dënuar me 8 vjet burgim, duke llogaritur paraburgimin dhe arrestin shtëpiak, dhe është gjobitur me 10 mijë euro (me opsion të zëvendësohet me burgim).
Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me nga 4 vjet burgim, Zharko Jovanoviq është gjithashtu gjobitur me 1500 euro (me opsion të zëvendësohet me burgim).
Kurse, Silvana Arsoviq është liruar nga akuza.
Ndërsa, për Rade Basara Prokuroria Speciale kishte ndërprerë ndjekjen penale, për shkak të mungesës së provave dhe tani akuza ndaj tij është refuzuar.
Prokuroria Speciale tërhiqet nga ndjekja penale ndaj Rade Basara për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Sulmi ndaj Ivanoviqit kishte ndodhur para zyrës së partisë që ai e udhëheqte në pjesën veriore të vendit dhe është kryer nga një veturë në lëvizje.
Pas atentatit, ai ishte dërguar në spitalin e këtij qyteti, mirëpo nuk ka arritur që t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Sipas Policisë, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 08:10 minuta, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, ku është regjistruar një incident me përdorim të armës së zjarrit, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të Ivanoviqit, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 10 nëntor 2020, të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur të tjerë, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Veselinoviç dhe Radoiçiq, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet vete, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike si dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit në ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e Ivanoviqit.
Ndryshe, ka pasur dëshmitarë në këtë rast që kanë refuzuar të dëshmojnë, kjo nga frika për jetën e tyre dhe familjarëve të tyre.