Prindon Sadriu, zotëriu i parë, i ka thurur elozhe bashkëshortes së tij, presidentes Vjosa Osmani, sa i përket punës “së jashtëzakonshme” në politikën e jashtme.
Sipas Sadriut, mandati i presidentes gjatë këtij viti ka shënuar fitore të jashtëzakonshme në politikën e jashtme.
“Një agjendë ndërkombëtare, e cila theu të gjitha rekordet brenda këtij viti kalendarik, brenda së cilës Presidentja zhvilloi rreth 𝟐𝟎𝟎 𝐭𝐚𝐤𝐢𝐦𝐞 dhe diskutime me krerë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë 𝟑𝟕 𝐯𝐢𝐳𝐢𝐭𝐚 shtetërore, zyrtare dhe të punës. Të gjitha këto, jo brenda një mandati, por brenda këtij viti! Një përpjekje e jashtëzakonshme dhe e pandërprerë për avancimin e interesave të Kosovës dhe të qytetarëve të saj në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Sadriu në Facebook.
Më tej, Sadriu ka theksuar se angazhimi dinamik dhe sistematik i Osmanit ka bërë të ndërtohet në të gjitha kontinentet e botës një rrjet i miqve dhe i aleatëve.
“Ndër këto takime përfshihen 107 takime dhe bashkëbisedime të nivelit të lartë me krerë shtetesh nga 66 vende të botës dhe 92 takime me krerë qeverie nga 44 vende të botës.
Dhjetëra takime formale me vende që nuk e kanë njohur ende formalisht Kosovën, përfshi shtete të rëndësishme rajonale si: Spanja, Kenia, Selia e Shenjtë (Vatikani), Kazakistani, Nigeria dhe Indonezia. Dëshmi e qasjes strategjike dhe njohurisë së thellë të kompleksiteteve të marrëdhënieve ndërkombëtare me synimin për t`i forcuar aleancat dhe partneritetet e Kosovës. Angazhim dinamik dhe sistematik i Presidentes Osmani ka bërë që në gjitha kontinentet e botës të ndërtohet një rrjet i qëndrueshëm i miqve dhe aleatëve, i cili do të shtrihet përgjatë viteve dhe dekadave në vijim”, ka shtuar ai.
Ndonëse njohja e fundit e Kosovës është para 3 vjetësh, Sadriu ka vazhduar ta lavdërojë Osmanin sa u përket njohjeve dhe politikës së jashtme kosovare.
“Presidentja ka arritur të rikthejë dhe t`i konfirmojë të gjitha njohjet, duke takuar krerët e shteteve nga 12 vende të botës, për të cilat Serbia, në fillim të këtij vit ka pretenduar se e kanë çnjohur Kosovën. Në këtë rrafsh, Serbia ka pësuar një debakël të pastër diplomatik. Përmes politikës së jashtme proaktive e vizionare, Kosova tashmë është rikthyer si lidere rajonale, duke e ngritur ndjeshëm praninë dhe ndikimin e saj në skenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Sadriu.