Të paktën 2 mijë bagëti kanë ngordhur në Kansas ditët e fundit, nga rritja e temperaturave dhe lagështia e lartë, sipas Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit në Kansas, raporton “NBC NEWS“.
Kansas është shteti i tretë më i madh i gjedhëve në SHBA pas Teksasit dhe Nebraskës, me më shumë se 2.4 milionë bagëti në ferma.
Vdekjet i shkaktuan dëm industrisë së bagëtisë në SHBA pasi prodhuesit kanë reduktuar tufat për shkak të thatësirës, duke u përballur kështu edhe me kostot e larta të ushqimit që janë rritur pas pushtimit rus të Ukrainës.
Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë të misrit në botë.
Matthew Lara, një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit në Kansas, ka thënë se vdekjet e bagëtive u llogaritën në bazë të numrit të kufomave që agjencia u thirr për të asgjësuar, raportoi Reuters.
“Gjedhët filluan të vuajnë nga stresi i nxehtësisë pasi temperaturat dhe lagështia u rritën gjatë fundjavës në Kansasin perëndimor dhe erërat ftohëse u zhdukën”, ka thënë Scarlett Hagins, zëdhënëse e Shoqatës së Blegtorisë së Kansasit.
Ndërkohë, tetë qarqe veriperëndimore të Kansasit u vendosën nën paralajmërimet ekstreme të thatësirës në fillim të këtij muaji.