22 diplomatë rusë largohen nga Moldavia

Njëzet e dy diplomatë rusë janë larguar nga kryeqyteti i Moldavisë, Kishinjev, duke e lënë mbrapa një ekip të vogël, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve

Një burrë duke e treguar pasaportën e tij në Ambasadën e Rusisë në Moldavi. Foto: Dumitru Doru (EPA-EFE)

Njëzet e dy diplomatë rusë janë larguar nga kryeqyteti i Moldavisë, Kishinjev, duke e lënë prapa një ekip të vogël, pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zyrtarët moldavë kanë thënë se reduktimi i stafit në Ambasadën e Rusisë në 25 persona, nga 80, do të krijojë barazi me numrin e stafit që ka Ambasada e Moldavisë në Moskë.

Moldavia, vend i ish-Bashkimit Sovjetik, është goditur nga afër prej luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe presidentja e saj proevropiane, Maisa Sandu, e ka dënuar pushtimin, si dhe e ka kritikuar Moskën që po tenton ta destabilizojë shtetin e saj.

Mediat moldave kanë publikuar video ku shihen dy autobusë duke u larguar nga Ambasada ruse në drejtim të aeroportit.

Një burim i agjencisë së lajmeve Reuters në aeroportin e Kishinjevit, ka thënë se stafi i Ambasadës është nisur drejt qytetit rus Soçi për të vazhduar më pas në Moskë.

Më shumë se 23 pjesëtarëve të stafit mbështetës dhe familjarëve, u është kërkuar që të largohen bashkë me diplomatët.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se ky hap “armiqësor” i Kishinjevit do të ketë pasoja në marrëdhëniet ruso-moldave, shkruan REL.

Ministria e Jashtme e Moldavisë i ka kërkuar Rusisë prej muajit të kaluar që ta kufizojë prezencën e saj në Ambasadën në Kishinjev, duke i përmendur shqetësimet për tentimet e dyshuara të Rusisë për ta destabilizuar Moldavinë, e cila kufizohet me Rumaninë dhe Ukrainën.

Kishinjevi e ka distancuar veten nga Moska, prej kur Sandu ka ardhur në pushtet më 2020.

Në shkurt, Sandu e ka akuzuar Moskën se po planifikon puç kundër Qeverisë së saj.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika