Libraria “Dukagjini”, e cila njihet ndryshe edhe si parajsa e adhuruesve të librave, e vendosur në një kënd të vogël të sheshit të Prishtinës, është një ndër vendet më atraktive dhe unike si për vendasit, ashtu edhe për turistët.
Libraria Dukagjini është lehtësisht e aksesueshme për banorët nga qyteti i Prishtinës dhe jo vetëm. Ajo është e vendosur në qendër të kryeqytetit dhe është e hapur për të gjithë.
Libraria Dukagjini është hapur më 4 maj të vitit 2000 dhe feston 22 vjet të mbushura përplot momente të bukura e suksesi ndër vite.
Për vite me radhë, libraria Dukagjini ka sjellë risi me shumë aktivitete kulturore, duke qenë gjithmonë pranë adhuruesve të librit.
Aty ju presin mbi 35 mijë tituj të ndryshëm, një ambient i ngrohtë, një staf mikpritës dhe aroma e këndshme e librit që ndihet sapo të futeni në librari.
Edhe këtë vit libraria Dukagjini vazhdon traditën, dhe më 4 maj do të ofrojë 22 për qind zbritje në libra dhe aksesorë të ndryshëm, zbritjet bëhen edhe në website.
Në përvjetorin e 22-të të librarisë, “Dukagjini” do të sjellë edhe një befasi për të gjithë të interesuarit që duan t’i dëgjojnë këshillat e kritika e shkrimtarit të mirënjohur Fatos Kongoli.
Kongoli, pra, do të jetë i ftuar në librarinë Dukagjini, ku të pranishmit mund të bëjnë edhe pyetje. Kongoli është një ndër shkrimtarët më të lexuar dhe të përkthyer shqiptar.
Takimi do të mbahet në hapësirat e librarisë, më 4 maj, me fillim në orën 18:00.
Libraritë dhe bibliotekat vlerësohen gjerësisht si kujdestarë të historisë dhe njohurive lokale, depo të kujtesës kolektive të një komuniteti. Ato magjepsin klientët përmes tregimeve, festimeve tradicionale dhe ekspozitave që festojnë kulturën dhe mitin.
Bibliotekat, gjithashtu, mund të lidhin njerëzit me komunitetet e tyre duke shërbyer si qendra të informacionit qytetar. Ato mund të ndihmojnë për të kuptuar e vlerësuar më mirë komunitetin.