Të shtunën bëhen 23 vjet nga “Epopeja e Çabratit” në Gjakovë.
Epopejë, në të cilën, për lirinë e Kosovës u flijuan dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.
Datat shtatë, tetë dhe nëntë maj të vitit 1999, për shumë nga qytetarët e Gjakovës, që atëbotë ishin në qytet, kujtojnë momentet e luftimeve të ashpra mes forcave të Ushtrisë Çlirimare të Kosovës(UÇK) dhe policisë, ushtrisë e paramilitarëve serbë.
Kjo betejë ishte e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ishte mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës.
Në këtë betejë kanë rënë shtatë dëshmorë dhe 41 civilë.
Po ashtu, më shtatë dhe tetë maj janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të kësaj lagjeje.
Për të nderuar të rënët, në emër të komunës së Gjakovës homazhe kanë bërë drejtoresha për Arsim, Eranda Kumnova-Baçi dhe ajo për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka, ndërsa janë shoqëruar nga përfaqësues të Brigadës 137 “Gjakova” dhe qytetarë të shumtë.
Ish-komandanti i Brigadës 137 “Gjakova” Agron Kryeziu, ka kujtuar shokët e betejës, i cili është shprehur se duhet të përkulemi para atyre që dhanë jetën për liri.
“Sot për neve është një ditë e veçantë, datë historike në luftën e fundit që është zhvilluar Epopeja e Çabratit, një ndër të vetmet urbane në qytet, erdhëm të përkulemi para të gjithë këtyre që dhanë jetën për liri e Kosovës, sot shënuam 23-vjetorin ku ranë bashkëluftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë tanë në këtë ditë të lavdishme”, ka thënë ai.
Ndërsa, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi, ka thënë se i përkulen jetës dhe veprës së dëshmorëve.
“Sot i përkulemi jetës dhe veprës së luftëtarëve tanë të cilët udhëhoqën luftën urbane, të vetmen në Republikën e Kosovës gjatë kohës së luftës. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të rënët që dhanë jetën e tyre për liri e Kosovës”, ka thënë ajo.
Komuna e Gjakovës për nder të këtij 23 vjetori, ka organizuar edhe një sërë aktivitetesh në fushën e kulturës e sportit.
Ndërkaq, në fushën e kulturës, në nder të kësaj beteje, do të shfaqet premiera “Kaligula” në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë.