Disa shkrepje plumbash ia morën jetën policit Izet Demaj.
Demaj u vra nga një grabitës në dhjetorin e vitit 2018.
Polici hero u përfshi në një përleshje të armatosur, pasi një person tentoi të grabis një bankë në qytetin e Istogut.
Ky akt u vlerësua heroik dhe i cili motivoi policët e tjerë për të vazhduar luftën kundër krimit.
Komandanti i Policisë në Klinë, Ragip Bytyqi, për një kohë të gjatë kishte shoqëri të mirë me Demajn.
“Unë në momentin e parë, bashkë me disa kolegë e kemi marrë informatën që është plagos Izeti, mirëpo kam mendu se është një plagosje e lehtë, kemi shku në spitalin rajonal të Pejës”, ka thënë Bytyqi.
Bytyqi rrëfen se Demaj ishte i pakompromis në luftimin e padrejtësive.
“Ka qenë tip që nuk ka mujtë me qëndru kur e ka marrë një informacion që e ka marrë dhe ka qenë asi tipi që ka pas dëshirë vet me i rregullu gjërat. E ka marrë atë guxim, ka shku në drejtim të bankës, të cilin informacion për mendimin tim nuk e ka vlerësuar mirë dhe në në momentin që është afru aty, shihet se si është goditë nga personi i dyshimtë”, ka shtuar Bytyqi.
Demaj ka hyrë në mesin e 22 policëve të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e punës.
Ata, si çdo vit tjetër, janë përkujtuar edhe në përvjetorin e 23-të të Policisë së Kosovës.