15 janari i vitit 1999 është nga ato data që janë të mbushura me histori përgjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) për çlirimin e vendit.
Në fshatin Reçak, pikërisht në këtë datë banorët përjetuan momentet më të vështira gjersa i priti një mëngjes nën krismat e armëve, e të cilat atëkohë ishin shndërruar në një përditshmëri të zakonshme.
Gjatë kësaj dite, në fshatin 30 kilometra larg Prishtinës, forcat policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë. Ngjarje e cila u cilësua si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Vrasja e 45 civilëve shqiptarë në Reçak dhe përballja e ambasadorit Walker me këtë ngjarje
Trupat e shqiptarëve të vrarë ishin mbetur në një luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999, kur në këtë vend shkoi asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Në momentin kur Walker arriti të ishte i pranishëm para trupave të vrarë ai tha se nuk kishte fjalë “për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.
Vendosja e trupave të pajetë në xhaminë e fshatit
Menjëherë pas largimit të Walker nga Reçaku, banorët e asaj zone i vendosën trupat e pajetë në xhaminë e fshatit. Derisa forcat serbe vendosën që të mos lejonin varrosjen e trupave, filluan luftimet në mes të forcave ushtarake dhe policore serbe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Forcat policore e ushtarake serbe nuk lejuan varrimin e të vrarëve
Pas luftimeve, forcat policore e ushtarake serbe i morën me forcë të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, sepse mohonin të kenë masakruar civilë dhe duhej të bëhej obduksioni. Ndërsa, masakra e Reçakut nga institucionet serbe asokohe ishte quajtur si “inskenim” dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime.
Fillimi i Konferencës në Rambuje
Pasi bota ishte tronditur nga pamjet e masakrës së Reçakut atëherë kishte filluar dhe rritja e presionit ndërkombëtarë mbi qeverinë serbe. Derisa ende nuk u ishin kthyer trupat e pajetë familjarëve, u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Këto bisedimet ishin organizuar në Rambuje të Francës dhe kjo ngjarje shënonte konferencën e parë ndërkombëtare që mbahej për Kosovën.
Rikthimi i civilëve të vrarë nga Prishtina në Reçak dhe organizimi i varrimit të civilëve të vrarë shqiptar
Pritja e familjarëve për t’i marrë trupat e pajetë të familjarëve kishte marrë fund më 8 shkurt. Ndërsa më 11 shkurt 1999 në Reçak, u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.
NATO fillon bombardimet dhe pas 78 ditëve tërhiqen trupat ushtarake e policore serbe nga Kosova
24 marsi i këtij viti lufta mori një kah tjetër, atë kur bota kuptoi pafajsinë e Kosovës dhe pas shumë kohësh vendosi që t’i ndihmojë këtij vendi. Pikërisht në këtë datë, NATO filloi bombardimin e caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë.
Periudha e bombardimeve zgjati 78 ditë, të cilat gjatë gjithë kohës shoqëroheshin me shpresën që këtyre ditëve do t’iu vie fundi. E njëjti ndodhi më 10 qershor të viti 1999, kur Kosova fitoi luftën e drejtë dhe çlirimtare dhe e arritu çlirimin e saj.
Ngritja e aktakuzave ndaj krerëve serbë nga Tribunali i Hagës
Pas 4 vitesh, më 20 tetor 2003, Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në territorin e ish- Jugosllavisë, publikoi aktakuzën kundër disa krerëve të lartë serbë për krimet që kishin kryer ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës në Kosovë(1998-99).
Në aktakuzën e Tribunalit të Hagës ishin të përfshirë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, shefi i Policisë Serbe për Kosovën, Sreten Llukiq dhe ndihmësi i Ministrit të Brendshëm serb, Vllastimir Gjorgjeviq. Nga të akuzuarit e lartëpërmendur asnjëri prej tyre nuk u dënua drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në Reçak.
Në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, krerët e shtetit bëjnë homazhe në Reçak
Pas më shumë se dy dekada, të dielën e 15 janarit, krerët e shtetit do të vizitojnë Reçakun, për nder të 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Në mesin e krerëve të shtetit do të jenë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në bazë të agjendës, kryeparlamentari Glauk Konjufca, në orën 10:00 do të bëj bëj homazhe në Memorialin Përkujtimor në fshatin Reçak. Ndërkohë nga ora 11:00, liderët e shtetit do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Pjesë e kësaj agjende do të jetë dhe vendosja e kurorës së përbashkët në memorial me prezencë të togut ceremonial të FSK-së dhe nderimet te varrezat në memorial.