“24-vjetori i çlirimit”, Rama: Ditë për të reflektuar – Kosova të dalë nga ngërçi politik me aleatët

Kryeministri Edi Rama ka shprehur bindjen se Kosova duhet të dalë nga "ngërçi politik" i krijuar sipas tij, nga një grindje absurde me aleatët. Ai ka renditur dy gjëra thelbësore që sipas tij duhen për të dalë nga ky ngërç: dialogu dhe ide konkrete

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjersa ka përkujtuar 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe hyrjen e 50 mijë ushtarëve të NATO-s, ka thënë se kjo është dita që shteti të reflektojë thellë për të dalë nga ngërçi, në të cilin, sipas tij, e ka futur sherri absurd me aleatët ndërkombëtarë.

Ai ka theksuar se Kosova duhet të dalë nga ngërçi politik “me dialog e jo me polici, me ide konkrete, jo me propagandë, me miq të mirë, jo me keqtrajtimin e miqve”.

Po ashtu, ai ka thënë se hyrja e NATO-s në Kosovë ua rikujton të gjithëve se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, nuk do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë.

“1/4 e shekullit nga sot, hyrja e NATO-s në Kosovë i kujton të gjithëve se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miqtë e mirë në ditët më të këqija, nuk do të kishte Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë”, ka shkruar tutje ai në rrjetin social Twitter.

Kujtojmë se në dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish, pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë, të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.

Këtë të hënë janë bërë 24 vjet prej kur në Kosovë ishin vendosur 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore të Serbisë.

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë, të cilët një ditë më parë “befasisht” kishin marrë Aeroportin e Prishtinës, me qëllim ndarjen e Kosovës.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s u hapi rrugë mbi një milion shqiptarëve të Kosovës, refugjatë të zhvendosur në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës, që të kthehen në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika