Ishte 4 korriku i vitit 1776, ditë kjo e cila ndryshoi rrjedhën e historisë amerikane.
246 vjet më parë për herë të parë në mesin e amerikanëve u publikua Deklarata e Pavarësisë, e cila është miratuar nga Kongresi Amerikan.
Një deklaratë që shpjegon vendimin e trembëdhjetë kolonive të Britanisë së Madhe, për të deklaruar veten të pavarur nga sundimi kolonial.
Dita e Pavarësisë, e njohur si festa e katër korrikut festohet në Shtetet e Bashkuara më 4 korrik çdo vit për të shënuar Deklaratën e Pavarësisë.
Në këtë ditë, qytetarët zakonisht e shënojnë rastin me një shfaqje të shkëlqyeshme të fishekzjarrëve, paradave, karnavaleve dhe panaireve.
Pse festohet 4 Korriku në Shtetet e Bashkuara?
Katër korriku është festuar tradicionalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “Dita e Pavarësisë”.
Etërit Themelues të ShBA-ve, John Adams, Benjamin Franklin, Alexander Hamilton, John Jay, Thomas Jefferson, James Madison dhe George Washington, ishin një grup prej shtatë udhëheqësve kryesorë që drejtuan luftën e ShBA-së për pavarësi dhe luajtën një rol të madh në themelimin e kombit, duke bashkuar trembëdhjetë kolonitë në këtë ditë.
Ata, gjithashtu, ndërtuan kornizën strukturore të qeverisë së re bazuar në politikat klasike liberale.
4 Korriku, dita e Deklaratës së Pavarësisë, tani shënohet me shfaqje të entuziazmit patriotik.
Amerikanët e festojnë ditën me shfaqje fishekzjarrësh, paradash dhe pikniku. Edhe politikanët e bëjnë atë një pikë për t’u paraqitur në ngjarjet publike në këtë ditë, dhe për t’i adresuar kombit çështjet e patriotizmit dhe kulturës.
Ndërsa në Kosovë, kjo ditë do të shënohet me aktivitete tashmë tradicionale të Shoqatës “Miqtë e Amerikës” të mbështetur nga FSK, Zjarrfikësit dhe Policia e Kosovës.
Aktivitetet do të mbahen te shtatorja e Presidentit Bill Clinton në Prishtinë.
Nga ora 09:00, sikurse viteve të tjera zjarrfikësit e Prishtinës do ta pastrojnë platonë te shtatorja e Presidentit Bill Clinton.
“Aktiviteti qendror fillon nga ora 11.00. Garda e Nderit e FSK do ta ngritë flamurin amerikan te shtatorja e Presidentit Bill Clinton “, njofton Shoqata ‘Miqtë e Amerikës’.
Po ashtu SHKA “Flaka e Llapit”, do të performojë me disa valle para dhe pas ngritjes së flamurit.
Sipas njoftimit, disa figura të poltikës së SHBA do të jenë të vendosura në ekspozitën me Rollapa: Presidentët: Woodrow Wilson, George H. W. Bush, Bill Clinton, George W. Bush, Joe Biden. Senatorët: McCain, Bob Dolee, Kongresmenët: Joseph DioGuardi, Tom Lantos, sekretarja Madeleine Albright, Gjenerali Wesley Clark.
Shoqata “Miqtë e Amerikës” njofton se në kuadër të aktiviteteve do të ketë edhe fotografitë nga aktivitetet e kaluara për 4 korrik të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”.
“Kemi paraparë që shumë qytetarëve të rastit në Prishtinë e disa qytete t’ua dhurojmë nga një poster, ku do jenë të gjithë Presidentët e SHBA. Aktiviteti do të vazhdojë edhe ditëve tjera”, thuhet në komunikatën e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”.
Ndërsa me një korrik, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka publikuar fotografi të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti gjatë kremtes së organizuar me rastin e 246 vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së.