Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorë të akredituar të shteteve aleate do të bëjë homazhe te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 25-vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s.
Homazhet do të nisin në orën 09:00.
Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.
Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.
Ndryshe, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Norvegjisë në Serbi, kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, më 24 mars 1999.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se më 24 mars 1999, ka filluar një ndërhyrje ushtarake që askush nuk e donte: Operacioni Forca Aleate ishte projektuar për të detyruar Slobodan Milosheviqin, presidentin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, t’i jepte fund abuzimit të popullatës civile në Kosovë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe lejimi i kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, si dhe qasjes së organizatave humanitare në Kosovë.
“Ky operacion ushtarak filloi pasi u shteruan të gjitha mjetet politike dhe diplomatike për të bindur Slobodan Milosheviqin që të përcaktohej për zgjidhje përmes bisedimeve dhe për paqen në Kosovë, bazuar në marrëveshjen e Rambujesë dhe me përmbushjen e kërkesave të Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit, të miratuar brenda Kapitullit VII me mbështetjen e Rusisë”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Sipas diplomatëve të këtyre gjashtë vendeve, operacioni i Forcave Aleate nuk ishte i drejtuar kundër popullit të Serbisë “dhe ne ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve njerëzore në Kosovë dhe Serbi”.