25 vjet nga masakra në Poklek dhe Çikatovë e Vjetër

Sot janë bërë 25 vjet nga masakra në fshatin Poklek dhe Çikatovë e Vjetër, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve, të cilët ishin civilë të paarmatosur

Foto: KP

Sot mbushen 25 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë e Vjetër, komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas më shumë se dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Vetëm në fshatin Poklek i Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civil të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

Sipas dëshmitarëve të shumtë, masakra e Poklekut ka pasur këtë rrjedhë:

Më 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli, Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit. Diku 1.5 km larg fshatit, ka ardhur një picgauer me policë serbë dhe i ka urdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpia.

Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje për anash është gjuajtur edhe me armë. Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin, pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe.

Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, te policët e tjerë që ndodheshin atje. Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë“.

Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17:30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar.

Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit (55). Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë, shtatë karikator të automatikut.

Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë. Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur.

Pas dy orë e gjysmë të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe, duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar. Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë.

Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të. Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish.

Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e korridori, por e tërë shtëpia.

Lista e plotë e masakrës në Poklekut të Vjetër më 17 prill 1999:

1.Sinan Rexhep Muqolli (52), Poklek i Vjetër

2.Elheme Rifat Muqolli (50), Poklek i Vjetër

3.Emine Sinan Muqolli (22), Poklek i Vjetër

4.Elife Sinan Muqolli (18), Poklek i Vjetër

5.Sherife Sinan Muqolli (17), Poklek i Vjetër

6.Hafije Sinan Muqolli (10), Poklek i Vjetër

7.Feride Selman Muqolli (33), Poklek i Vjetër

8.Shehide Fadil Muqolli (13), Poklek i Vjetër

9.Naser Fadil Muqolli (12), Poklek i Vjetër

10.. Ylber Fadil Muqolli (10), Poklek i Vjetër

11.. Egzon Fadil Muqolli (4), Poklek i Vjetër

12.. Hyle Selman Muqolli (22), Poklek i Vjetër

13.. Florentina Qamil Muqolli (3), Poklek i Vjetër

  1. Lirie Qamil Muqolli (gjashtëmuajshe), Poklek i Vjetër
  2. Mehreme Muqolli (58), Poklek i Vjetër
  3. Bahrije Halil Muqolli (24), Poklek i Vjetër
  4. Naime Halil Muqolli (22), Poklek i Vjetër
  5. Hidajete Nebih Muqolli (33), Poklek i Vjetër
  6. Menduhie Liman Muqolli (11), Poklek i Vjetër
  7. Mirsad Liman Muqolli ( Poklek i Vjetër
  8. Mergim Liman Muqolli (5), Poklek i Vjetër
  9. Bahtije Halil Caraku (34), nga Dobrosheci
  10. Besart Ejup Caraku (13), nga Dobrosheci
  11. Hasan Ejup Caraku (12), nga Dobrosheci
  12. Kunata e Bahtije Halil Carakut- nuk i dihet emri (45),
  13. Miradije Rifat Muqolli (55), Poklek i Vjetër
  14. Zarife Rrahman Muqolli (23), Poklek i Vjetër
  15. Arife Rrahman Muqolli (20), Poklek i Vjetër
  16. Florije Salih Muqolli (23), Poklek i Vjetër
  17. Eronita Xhavit Muqolli (4), Poklek i Vjetër
  18. Fatos Xhavit Muqolli (1,5), Poklek i Vjetër
  19. Shemsije Muqolli (42), Poklek i Vjetër
  20. Vezire Ilmi Muqolli (20), Poklek i Vjetër
  21. Fatmire Ilmi Muqolli (17), Poklek i Vjetër
  22. Rexhep Ilmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër
  23. Agron Ilmi Muqolli (10), Poklek i Vjetër
  24. Albulena Ilmi Muqolli (5), Poklek i Vjetër
  25. Nexhmije Ramadan Muqolli (25), Poklek i Vjetër
  26. Hasime Ramadan Muqolli (37), Poklek i Vjetër
  27. Avdullah Fehmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër
  28. Shehrije Xhemail Muqolli (27), Poklek i Vjetër
  29. Vahide Mehdi Muqolli (4), Poklek i Vjetër
  30. Dy djem të Mehdiut, njëri 10 muaj, tjetri dy vjeçar, Poklek i Vjetër
  31. Ymer Elshani (55), Poklek i Vjetër
  32. Nafije Elshani (50), Poklek i Vjetër
  33. Shukrije Elshani (37), dhe katër djemtë e Ymer Elshanit, prej 22-vjeç e më të rinj
  34. Kimete Fadil Muqolli (20), Poklek i Vjetër
  35. Lindita Skender Hoxha (25), nga Korrotica e Epërme

Të zhdukur konsiderohen edhe tre persona

1.Halim Kluna (75)

2.Nëna e Ymer Elshanit (75). /KP

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika