Në 25 vjetorin e agjencisë së lajmeve “Kosova Press” sot u mblodhën në Prishtinë shumë agjenci evropiane të lajmeve, diplomatë të huaj e përfaqësuesë të Qeverisë.
Në këtë event, presidenti i agjencisë së lajmeve, Kosova Press, Skënder Krasniqi ka thënë se kjo agjenci po ju ofron mediave produktet më të reja në përputhje me kohën.
“25 vjet të punës së agjencisë së pavarur të Kosova Press-it për dikë mund të duken pak, por për të gjithë ne dhe ata që kanë punuar në Kosova Press, duke marrë parasysh luftë, pasluftë, mbijetesën, stabilizimin dhe rritjen e zhvillimin regjional, evropian dhe botëror kanë qenë sfida të jashtëzakonshme. Kjo për arsye të qëllimit tone të madh, rritjes së sasisë, kualiteteti, shpejtësisë dhe paanshmërisë së lajmeve…”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se është shumë krenar që këtë çerekshekull po e festojnë me nënshkrime të shumë marrëveshjeve ndërkombëtare.
I pranishëm ishte edhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se Kosova Press ka shkuar përtej kufijve duke mundësuar qasje të informatës së saktë.
Hovenier e ka falënduar këtë agjenci të lajmeve për bashkëpunimin me agjenci të huaja.
“Dhe pasi Kosova doli nga ky represion dhe kaloi përmes një administrate të OKB-së drejt një pavarësie të mbikqyrur përpara se të realizonte vizionin e saj, atë të një demokracie plotësisht të pavarur, sovrane dhe multietnike. Gazetaria kosovare ka shtyrë kufijtë në ndjekjen e përmirësimit të gazetarisë dhe garantimit që çdo qytetar të ketë qasje në informata të sakta”, ka thënë Hovenier.
Për më shumë mund të shikoni videon e mëposhtme: