Është imazhi i parë me të cilin hap e mbyll sytë tash e 25 vjet.
Këtë të martë, Kimete Hoti e ka sjellur foton e të birit aty ku pushon, në mesin e krushianëve të vrarë në Masakrën e Krushës.
E rënduar në emocione, një çerek shekulli më vonë, kujtimin për vrasjen e të birit e ka ende të freskët.
“Ka qenë në breg qatje ne i thojmë, të mahallës nalt, i kanë tubu dhe janë nisë teposhtë. Djalin e vogël 15-vjeç ma kanë qu në xhami, këta e kanë myt aty në përru”, ka deklaruar Kimete Hoti – Nëna e të vrarit Asaf Hoti.
Të birin e kishte gjetur bashkëshorti gjersa kërkonte nëpër gërmadha e trupat e shumtë të të vrarëve nga forcat serbe.
Hotit në masakër i janë vrarë daja e disa kusherinjë.
Këtë përvjetor, shumë familjarë të viktimave u bashkuan në inagurimin e muzeut, me shumë copëza të së kaluarës së tyre plot dhimbje.
E në hapjen e muzeut, prezente qe edhe e para e vendit.
“Ky muze personifikon vendosmërinë tonë të palëkundur, qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor përballë tragjedive të tilla të paimagjinueshme. Zërat e viktimave ende kumbojnë, kërkojnë njohjen e vuajtjeve, nderimin dhe kujtimin. Me këtë muze ne po e bëjmë këtë jo vetëm në përvjetor por në secilën ditë”, ka deklaruar Vjosa Osmani, presidente e Kosovës
E Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se angazhimi për drejtësi po vazhdon.
“Ndonëse me vonesë, unë jam e bindur se shumë prej këtyre masakrave do t’arrijmë që t’i dëshmojmë e po ashtu, jemi në prag të finalizimit të strategjisë për drejtësinë tranzicionale që në plan të parë, do t’i ketë prioritet nevojat që kanë viktimat”, ka deklaruar Vjosa Osmani, presidente e Kosovës.
Të pranishëm në inagurim qenë edhe ish-presidentë, deputetë e ambasadorë, përfshirë atë amerikan e gjerman.
Muzeu përmban mbi 200 video-intervista të të afërmve të martirëve e mbi 60 artefakte të të ndjerëve.
Në vitin 1999, forcat serbe kishin vrarë 243 persona në Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit, e mbi gjashtëdhjetë vazhdojnë të jenë të pagjetur.