Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me 25-vjetorin e rënies së heroit, Ilaz Kodra.
Ai ka treguar se me heroin Ilaz Kodra ishin së bashku në betejën e Qafë Mullarit në ditën kur u vra vëllai i tij, Luani dhe u plagos Rafet Rama.
“Në atë betejë, isha bashkë po ashtu me Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Abedin Rexhën, Ali Ahmetin, Ramiz Lladrovcin, Gani Ramën, Selim Krasniqin dhe Emrush Xhemajlin”, ka shkruar kreu i AAK-së.
Ai ka thënë se që nga ajo ditë kishin besim të madh se heroi në fjalë do të bëhej shtylla e luftës çlirimtare.
“Ashtu edhe ndodhi, ai luftoi heroikisht deri në rënien heroike në vendin e tij të dashur, në Drenicë, me bashkëluftëtarët e tij trima. Në këtë datë kujtojmë po ashtu, dëshmorët dhe martirët e rënë në Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatrat përreth”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj është shprehur se “në këto treva, shpirti i qëndresës është i përjetësuar dhe se mbesë në kujtesën historike si simbole të guximit për atdheun.
“Lavdi e përjetshme!”, ka përfunduar i pari i AAK-së.
Kujtojmë që sot janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Ai u lind më 3 maj 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme i kreu në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, ai u regjistrua në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë.
Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.
Ndikimi atdhetar që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit.