“26 vjetori i të vrarëve në Kotlinë”, Kurti: Serbia do të mbahet fajtore për të gjitha krimet e kryera në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Serbia do të mbahet përgjegjëse dhe fajtore para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përkujtuar masakrën e Serbisë në fshatin Kotlinë të Kaçanikut 26 vjet më parë, duke thënë se ishte krim shtetëror “i Serbisë së Sllobodon Millosheviqit”.

Kurti ka shkruar në Facebook se Serbia është fajtore për të gjitha krimet e kategorive juridike “të ktyera në Kosovë, para dhe gjatë luftës”.

“Sot janë bërë plot 26 vjet nga dita kur Jugosllavia e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, kreu një krim shtetëror në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Më 24 mars 1999, Brigada e Mekanizuar 243 e Ushtrisë së Jugosllavisë, së bashku me njësite speciale të policisë, e rrethuan fshatin Kotlinë. Mes malltretimesh, policia serbe fillimisht i vrau tre të moshuar të cilëve më pas edhe ua dogjën trupat.

Në mesditë, policia i mori gratë, fëmijët dhe të moshuarit dhe i dërguan me kamionë në Kaçanik, kurse burrat në Ferizaj, ku pasi i malltretuan i dëbuan drejt Maqedonisë. Ndërkohë që i dogjën pothuajse të gjitha shtëpitë e fshatit Kotlinë, sikur edhe shkollën dhe ambulancën e fshatit, ushtarët serbë i rreshtuan 35 djem të rinj dhe i nisën drejt një zone malore të fshatit. Atje, 13 prej tyre arritën të iknin malit dhe t’u shmangeshin plumbave, ndërsa 22 të tjerët u vranë prej forcave serbe. 16 trupa u hodhën në një pus dhe 6 trupa në një pus tjetër, para se të dy puset të shembeshin nga eksplozivi i hedhur në ta.

Pas luftës, në shtator të vitit 1999, ekipe të mjekësisë ligjore të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi (ICTY), i hapën puset dhe i konstatuan varrezat masive në to. Këto fotografi, e dëshmojnë këtë proces dhe trupat e viktimave të nxjerra nga puset gjashtë muaj pas vrasjes së tyre. Në vitin 2011, gjenerali i policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, që gjatë luftës në Kosovë kishte shërbyer si Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u akuzua në Hagë (ICTY) ndër të tjera edhe për përgjegjësi për krimet e kryera në Kotlinë. Ai u dënua me 27 vjet burg, për përgjegjësinë e tij dhe bashkëpjesëmarrje në vrasje, krime kundër njerëzimit, pjesëmarrje në ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe nxitje në vrasjen e shqiptarëve në Kosovë. Por në vitin 2014, Dhoma e Apelit e ICTY-së ia uli këtë dënim Vllastimir Gjorgjeviqit në 18 vjet burgim.

Para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe para historisë moderne të Evropës, Serbia do të mbahet gjithmonë përgjegjëse dhe fajtore për të gjitha krimet e të gjitha kategorive juridike të kryera në Kosovë, para dhe gjatë luftës.

Të vrarët në Kotlinë, do të kujtohen dhe do të nderohen gjithmonë bashkë me ata që ranë në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për liri”, ka shkruar Kurti.

Shija e redaktorit

Osmani konfirmon njohjen nga Kenia

Republika e Kenias është bërë shteti i 118-të që ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, përmes një vendimi të firmosur...

Nga shtatë shkolla të premtuara në kryeqytet, në shtator hapen...

Ka kohë që është premtuar e as shtatori i këtij viti, nuk do t’i gjejë banorët e lagjes “Sofalia” me një shkollë të re. E...

Plenkoviq: S’pyesim as Serbinë, as NATO-n për marrëveshje me Kosovën...

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se marrëveshja e fundit ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk kërkon miratimin e Serbisë apo NATO-s,...

Të fundit nga rubrika