Një ngjarje e jashtëzakonshme i ka bashkuar sot në kazermën “Adem Jashari” liderët e institucioneve por edhe figura të tjera.
Në nderim pikërisht të familjes heroike Jashari, siç e do zakoni ngjarja kryesore e Epopesë së UÇK-së u mbajt në kazermën e FSK-së.
Zyrtarisht nisi gjithçka me ardhjen komandantes supreme, presidentes Vjosa Osmani.
Të pestë afër njëri-tjetrit, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca, e ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci kaluan afër ushtarëve të FSK-së.
Kështu, bashkë me gardën e FSK-së vendosen lule para obeliskut që nderon dëshmorët e kombit.
Para të pranishmëve e para doli presidentja Osmani që tha se ushtria dhe policia e Kosovës janë garancia e sovranitetit të Kosovës, e familja Jashari themeli ku ato janë vendosur.
“Ato tri ditë të marsit, 5,6 dhe 7 mars të 1998 në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të kombit shqiptarë. Dëshmorë, përveç burrave u bën edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë sepse Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por ishte një kështjellë e lirisë”, ka deklaruar Osmani.
Ndërkaq, i pari ekzekutivit kosovar Albin Kurti në fjalimin e tij, duke treguar sakrificat e familjes Jashari pati një mesazh për ushtarët e FSK-së.
“Nëse atëherë Ademit me shokë iu dashtë të shkonte ilegalisht në Shqipëri për të u stërvitur fshehurazi, sot ju stërvitëni trajnoheni edhe shkolloheni në akademitë më të mira si SHBA-të, Turiqi… Kroaci, andaj ushtarë të Kosovës të gjithë sytë tanë janë kthyer nga ju, andaj mbani fort armët në duar, flamurin lartë bashkë me me vullnetin dhe guximin”, ka deklaruar Kurti.
Qeveria e Kosovës mbajti edhe mbledhje solemne me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, ku edhe aty Kurti tha se jemi në rrugën e përcaktuar nga lufta e UÇK-së.
Epopeja e UÇK-së shënohen në përkujtim të sulmit të tretë të forcave serbe ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.
Luftimet kishin zgjatur tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 kur forcat serbe vranë 20 anëtarë të familjes së ngushtë të Adem Jasharit dhe mbi 30 kushërinj dhe të afërm të tij.