Edhe kur mbeti me rreth 40 ushtarë në rresht, e me disa luftëtarë me pushkë në krah që numëroheshin në gishta, prapë flamuri me shkabën dykrenare valonte mbi qiellin e Dukagjinit.
Zona e Ramush Haradinajt asnjëherë nuk e uli flamurin nga shtiza.
Rreshti ishte i gjatë, në radhë asnjëherë nuk mungoi një ushtar shtatshkurtër.
Brahimaj merrte urdhra nga nipi Ramushi, ky strofullën në Gllogjan, e Lahiu në Jabllanicë të Gjakovës.
“Na thojke veç hajdi pas meje, këtë porosi…”, ka thënë Lahi Brahimaj, Ish-luftëtar i UÇK-së.
Në këto troje, flamurit kombëtar i festohej datëlindja edhe në kohët më të vështira.
28 nëntori kremtohej me zemrën plot në tryezën e zbrazët, me pak fjalë e veç një dëshirë, që “1912-ta të vijë edhe në viset e Kosovës”.
“Po këtu në Gllogjan 28 nëntori festohej.. edhe atje në Jabllanicë ne i cakërronim gotat…”, ka thënë Lahi Brahimaj, ish-luftëtar i UÇK-së.
Ashtu si dikur në radhë, sot 111-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë e shënuan në Gllogjan, me flamurin si dikur, por tani duke bërë roje varret e mbi 80 dëshmorëve, në krye me Shkelzen e Luan Haradinaj.
Në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”, partia të cilën e udhëheq ish-komandanti i zonës së Dukagjinit, bashkë me familjarë, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare, ishin ndër të vetmit që bënë homazhe. Këtu munguan përfaqësuesit e shtetit.
“Po është mirë me i pyet ata se pse…”, ka thënë Besnik Tahiri, shef i GP-së të AAK-së.
Për festa e ditë të tilla, Kulla e Dëshmorëve bëhet konak për shqiptarë nga të gjitha anët.
Në krye të oxhakut, mysafirët gjatë ditës i ka pritur Luan Haradinaj, djali i Shkëlzenit, tash ushtar i Ushtrisë së Kosovës.
Luani ka trashëguar pasionin dhe emrin nga axha i tij, i cili më 6 maj 1997 me uniformën e UÇK-së në krah, u vra duke hyrë në Kosovë nga kufiri me Shqipërinë.
Ndërsa, Shkëlzeni ra dëshmor më 16 Prill 1999 në malet e Maznikut afër Deçanit, në mbrojtje të civilëve që ishin në rrezik të masakroheshin nga forcat serbe.
Pas rrethimit të kullës së familjes Jashari në Prekaz, më 24 mars 1998, forcat serbe rrethuan Gllogjanin, ia mësynë shtëpisë së familjes Haradinaj. Rezistenca ishte e ashpër, ata u zmbrapsën, ndërsa në histori mbeti “Epopeja e Dukagjinit”.