Më 3 Maj shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit në të gjithë botën.
Në këtë ditë organizohen evente dhe aktivitete që qëllim kryesor kanë mbrojtjen e kauzës së lirisë së shtypit.
Por si qëndron Kosova si një vend në tranzicion lidhur me këtë çështje?
Shefi i Departamentit të Gazetarisë në Univeristetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Muhamet Jahiri, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se Kosova ka bërë pak sa i përket lirisë së medieve dhe të shprehjes, duke mbetur edhe më tutje në mesin e atyre vendeve me liri mesatare të shprehjes.
“Kosova si një vend i cili ka një përcaktim të qartë drejt vlerave evropiane, ka bërë pak sa i përket lirisë së medieve dhe të shprehjes, duke mbetur edhe më tutje në mesin e atyre vendeve me liri mesatare të shprehjes”, ka thënë Jahiri.
Sipas Jahirit, këtë e dëshmojnë të gjitha raportet që ndërlidhen me vendin tonë dhe Ballkanin.
“Andaj duhet të punohet më tepër në këtë drejtim për ta përmirësuar gjendjen dhe vështirësitë me të cilat po përballemi si shoqëri. Pra, liria e shprehjes është vlerë fundamentale e demakoracisë dhe si të tillë duhet ta mbrojmë dhe promovojmë me çdo kusht”, ka thënë tutje Jahiri.
Për sfidat me të cilat ballafaqohen gazetarët, Jahiri ka thënë se ballafaqohen me shumë të tilla derisa si më të rëndësishmen e konsideron sigurinë e tyre.
“Po thuaj se çdo vit kemi tendenca për ta ndaluar fjalën e tyre dhe po thuaj se çdo vit kemi dhunë brutale të ushtruar ndaj tyre”, është shprehur ai.
Jahiri tregon se edhe në kohën kur e ka ushtruar profesionin e gazetarit situata ka qenë e njëjtë, por, sipas tij sot brutaliteti është më i theksuar falë edhe zhvillimit të teknologjisë. Ai ka thënë se tashmë linqimi fillon në rrjete sociale, merr përmasa nga grupe të organizuara dhe përfundon me dhunë verbale e fizike.
Ndërsa për rastin e fundit ku u ushtrua dhunë ndaj gazetarit Valon Syla, Jahiri ka theksuar se është rasti i fundit që tregon se deri në çfarë çmendurie shkon tendenca për ta “vrarë” fjalën e lirë.
“Është mirë që ky rast u dënua maksimalisht dhe u arrestuan sulmuesit, por, institucionet gjegjëse nuk janë vetëm për dënime të dhunës përmes rrjeteve sociale, ato institucione duhet që me përparësi t’i trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me sulme ndaj gazetarëve”.
Gjersa si shef i Departamentit të Gazetarisë në UP, si hap të parë më të rëndësishëm që duhet të ndërmerret së shpejti lidhur me këtë problem, Jahiri mendon se i gjithë komuniteti duhet të jetë i bashkuar ne ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe në mbrojtje të gazetarëve e medieve.
“E dyta, duhet t’u bëhet e qartë institucioneve dhe grupeve që u pengon liria e fjalës dhe e medieve se çdo tendencë në këtë drejtim do të jetë i pa pranueshëm dhe e pamundur”, ka theksuar Muhamet Jahiri.
Sipas tij, hapi i tretë është se gjykatat duhet t’i trajtojnë me prioritet rastet kur sulmohen gazetarët dhe të jepen dënime të ashpra.
“Dhe e fundit, duhet të punohet në edukimin e shoqërisë për rëndësinë e lirisë së shprehjes e të vetëdijesohen për rolin dhe peshën e gazetarëve dhe medieve”.
Shefi i Departamentit të Gazetarisë në Univeristetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Muhamet Jahiri ka theksuar se çdo vit në kuadër të kësaj dite organizohen aktivitete të ndryshme në Departamentin e Gazetarisë, e të njëjtat nuk do të mungojnë as në këtë vit.
Jahiri tregoi se në mëngjes do të lansohet në kuadër të Universitetit një podcast special që i dedikohet 3 majit.
Më pas Departamenti do të organizoj një konferencë me titullin: “Liria e shprehjes në kohën e çrregullimit informativ”, si dhe do të jap kontributin përmes stafit akademik me prezencë në të gjitha mediet.
Tutje ai ka potencuar se Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës do të bëjë çdo gjë që të jetë në shërbim të edukimit të masës në lidhje me lirinë e shprehjes, dhe se “do të mbetet një zë i vazhdueshëm në mbrojte të gazetarëve dhe medieve”.