Tri raste të dhunës në familje janë raportuar përgjatë të premtes, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës bën të ditur se një rast ka ndodhur në komunën e Gjilanit, një në atë të Suharekës dhe një në Vushtrri.
Në komunën e Gjilanit është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi dyshohet se ai ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës, femër kosovare, me të cilën bashkëjetonte.
Sipas viktimës, i dyshuari po ashtu edhe e ka kanosur atë.
Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti ka ndodhur të premten e 14 tetorit në orën 23:30.
Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm i dhunës në familje në raportin 24-orësh, një rast i tillë është raportuar edhe në komunën e Suharekës dhe kësisoj është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës, femër kosovare.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, theksohet në raportin e Policisë së Kosovës.
Rasti ka ndodhur të premten e 14 tetorit, rreth orës 14:00.
Ndërkaq, në raportin e Policisë së Kosovës, është raportuar se në komunën e Vushtrrisë është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ai ka tentuar t’i godasë djalin dhe gruan e tij.
Policia bën të ditur se mashkulli kosovar i cili dyshohet se ka tentuar të ushtrojë dhunë në familje, ka qenë në gjendje të dehur. Kësisoj, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.