3 të mitur në ndalim për zjarrin në Gjykatën në Kaçanik, skepticizëm nëse u ruajtën lëndët

Tre të mitur janë ndaluar nga Policia si të dyshuar për zjarrvënien në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj- Dega në Kaçanik. Nga Gjykata Themelore thonë se lëndët gjyqësore të përfshira nga zjarri janë ruajtur në formë elektronike, të gjitha pa përjashtim. Por monitorues të sistemit të drejtësisë, janë skeptikë për këtë

Dy ditë pasi ia vunë zjarrin, tre të mitur u ndaluan nën dyshimin për shkaktimin e zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, degës në Kaçanik.

Dëmi që dyshohet të kenë shkaktuar të njëjtit, ishte vetëm material.

E shkrumb e hi përfunduan të gjitha lëndët gjyqësore për të cilat, Gjykata Themelore në Ferizaj është shprehur e bindur se të njëjtat, janë të sigurta në një formë tjetër.

“Nga zjarri i shkaktuar, shihet se përveç dëmeve material ka edhe lëndë të djegura. Të gjitha lëndët në gjykatë përveç që kanë qenë fizike janë edhe të ruajtura në mënyrë elektronike, përkatësisht në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve SMIL. Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve SMIL, që nënkupton ruajtje e të dhënave në sistemin qendror, përkatësisht procedimi dhe menaxhimi i lëndëve në mënyrë elektronike. Të gjitha lëndët në Gjykata janë të regjistruara dhe të ruajtura në sistem. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka angazhuar ekipet punuese për rinovimin e hapësirave të dëmtuara. Ndërsa gjyqtarëve iu janë siguruar zyre tjera, deri në rinovimin e zyreve të tyre. Nuk mund të japim ndonjë informacion apo më shumë detaje për këtë pyetje, pasi që rasti është ende në proces hetimor”.

E nga Prokuroria, nuk kanë dhënë detaje rreth hetimeve me arsyetimin se ato janë duke vazhduar.

“Siç ju kemi njoftuar më herët, rasti është në procedurë hetimore, janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga ana e Prokurorisë në koordinim me Policinë dhe në këtë fazë nuk mund të japim detaje tjera për shkak të procesit hetimor. Sistemi i Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) është sistem ku janë të vendosura/ngarkuara lëndët në mënyrë elektronike, ndërsa, sa i përket ruajtjes së këtyre lëndëve, renovimit të zyreve të Gjykatës Themelore- Dega në Kaçanik dhe punës së gjyqtarëve tash e tutje, ju lutem drejtohuni Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore në Ferizaj”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Gjykatat janë të obliguara që format elektronike të çështjeve, t’i përditësojnë në sistemin elektronik pas çdo veprimi.

Por njohës të fushës vlerësojnë se jo të gjitha gjykatat në Kosovë kanë arritur ta bëjnë këtë, ndër to edhe ajo e Kaçanikut.

“Përkundër faktit që Gjykata Themelore në Ferizaj dhe edhe gjykatat tjera në Kosovë e kanë sistemin SMIL, unë jam shumë skeptik që kjo gjykatë ka arritur t’i regjistrojë t’i ketë në SMIL, në formë elektronike të gjitha lëndët të cilat në formën fizike tanimë janë bërë shkrumb e hi ndërsa konsideroj që pasojat e kësaj ngjarjeje do hasen në muajt dhe vitet në vijim, në veçanti vonesat e lëndëve që janë në sistem të drejtësisë ku Gjykata kaniherë janë duke u marrë me lëndë që janë para një dekade, konsideroj se këtu çështja bëhet shumë alarmuese”, ka thënë Labinot Leposhtica nga BIRN.

Leposhtica vlerëson se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të investojë në sigurinë në gjykatë të cilën e vlerëson si të dobët pas ngjarjes së fundit.

Televizioni ka pyetur KGJK-në lidhur me veprimet që do ndërmarrë, por nga e njëjta nuk ka pranuar përgjigje.

Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë deklaruar për televizionin se tre të miturit janë në ndalim prej 24-orësh dhe ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika