Ish-nënkryetarit të komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakut, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
RTV dukagjini ka siguruar pamje gjatë momentit kur Njësia Speciale po e bënte tranferimin për në Qendrën e Paraburgimit.
Në ato çaste, Lushtaku është pyetur nga gazetarët se cili është qëndrimi i tij lidhur me caktimin e kësaj mase.
I njëjti, drejtuar gazetarëve, është kundërpërgjigjur duke thënë se “A u kënaqët?”.
Në anën tjetër, Tahir Lushtaku – familjar i Nuredin Lushtakut, teksa komentuar vendimin e Gjykatës, ka thënë se i njëjti është ndikuar nga politika.
“Së pari e kemi parë se çfarë ka deklaruar Vlora Çitaku, e mos të flasim për të tjerët. Polici që po thuhet se është viktimë, i gjithë Skenderaj e dinë se çfarë personi është”, ka thënë ai.
Ndryshe, avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Çerkini, ka thënë se si avokat mbrojtës do të ankohet në Gjykatën e Apelit.
“Klienti im tri herë është paraqitur vullnetarisht në polici, nuk ka pasur nevojë për këtë masë”, është shprehur Çerkini.
Ai ka theksuar se është dashur që të vendoset arresti shtëpiak ose masa e paraqitjes në polici.
Ndryshe, të hënën e katër korrikut, ish-gjenerali dhe njëherësh, ish-nënkryetari i komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku është dorëzuar në polici pas urdhërit për ndalimin e tij nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.
Prokruroria Themelore e Mitrovicës ka kërkuar nga Gjykata Themelore që të caktojë masën e paraburgimit për Faton Lushtakun dhe Arif Lushtakun.
Lushtaku dhe familjarët e tij dyshohen se kanë plagosur dy zyrtarë policorë të shtunën mbrëma në Skenderaj, si shkak i shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.
Nuredin Lushtakut dhe të tjerëve u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh