Bekim Vari, i raportuar i zhdukur nga familjarët e tij më 29 janar, është gjetur këtë të mërkurë i vdekur në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt.
Kështu ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, duke shtuar se lidhur me këtë rast është ndaluar një person me inicialet L.F. nën dyshimin për vrasje të rëndë.
“Pas hetimeve të ndërmarra nga ana e hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohet dhe ndalohet i dyshuari L.F., lidhur me rastin kur fillimisht një person me inicialet B.V., është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij dhe sot më datën 05 Shkurt 2025, është gjetur trupi i pajetë i të ndjerit B.V., në malet e fshatit Manastirc të komunës së Ferizajt”, thuhet në njoftim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML).
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka theksuar se në koordinim me Policinë, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje penale.
Më 1 shkurt, Policia e Kosovës ka publikuar identitetin e Bekim Varit, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij.
Vari, i lindur më 01.03.1987, është larguar nga shtëpia në fshatin Pleshinë e Ulët të Ferizajt më 22.01.2025, rreth orës 17:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij, tha policia më 1 shkurt.