370 civilë shqiptarë u vranë e u masakruan, në prillin e vitit të 1999 në fshatin Mejë të Gjakovës.
Për këtë masakër, që është edhe një prej më të rëndave që ka ndodhur në Kosovë gjatë kohës së luftës, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë 4 muaj më parë.
Si rrallë herë, për ngritjen e kësaj aktakuze, prokurorët dolën edhe në konferencë për media, duke treguar se akuza është e ndarë në 3 pjesë dhe përfshinë gjithsej 53 persona.
Por, prej atij njoftimi për ngritjen e kësaj aktakuzë që është në mungesë, nuk është ndërmarr asnjë veprim tjetër. Edhe pas 4 muajsh nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare, ashtu siç parashihet edhe me ligj.
Nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tash e një javë nuk kanë kthyer përgjigje, ashtu sikurse nga Gjykata Themelore nuk janë përgjigjur për arsyet e mos publikimit të aktakuzës në Gazetën Zyrtare, për të vazhduar me procesin tutje.
Amer Aliaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se institucionet duhet të tregohen më efikase dhe të shpejta në rastet e tilla, ndonëse nuk ka ndonjë afat të caktuar.
Amer Aliaj – FDH ka deklaruar se “Çdo aktakuzë për krime të luftës, çdo rast për krimet e luftës duke pasur parasysh edhe koha e cila ka kaluar, pra tani jemi në 25 vjetorin e përfundimit të luftës, aktakuzat e krimeve të luftës duhet të trajtohen me prioritet dhe me një efikasitet të shpejte, për arsye se me kalimin e kohës vdesin personat të cilët kanë bërë krime, vdesin dëshmitarët dhe nuk duhet të humbet kohë, për shkaqe procedurale, por aty ku ka prova të procedohet.”
Para se të nisë procesi gjyqësor, gjykata duhet të kërkojë avokat për secilin të akuzuar, derisa në Odën e Avokatëve thonë se ende nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë.
Ata shprehen të gatshëm që të ndihmojnë, që proceset gjyqësore për krime të luftës të përfundojnë në kohë të arsyeshme.
Naim Rudari- Nënkryetar i OAK-së ka deklaruar se “Besoj se do të bëhet zgjidhje, në këtë rast dhe rastet e tjera avokatët në një formë e ndihmojnë edhe gjykatën për të zhvilluar proceset gjyqësore, dhe besoj që nuk do të jetë e vështirë, edhe pse mund të ketë ndonjë hezitim, nuk do të jetë e vështirë do të bëhet zgjidhje…Deri më tani nuk janë parashtruar kërkesa nga Gjykata, por në momentin që do të parashtrohet kërkesa Oda do të bëjë zgjidhje.”
Kompetencat për hetimin e krimeve të luftës, fillimisht kanë qenë tek UNMIK-u, pastaj tek misioni i EULEX-it, e që nga viti 2018, hetimi e ndjekja penale bëhen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila deri më tash ka ngritur mbi 30 aktakuza.