Një 4-vjeçar nga Mitrovica i është nënshtruar një ndërhyrjeje në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK, pasi kishte përpirë një monedhë metalike, i cila kishte depërtuar në lukth duke ia rrezikuar seriozisht shëndetin.
Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se pas komplikimit të gjendjes shëndetësore të fëmijës, janë ndërmarrë masat e nevojshme reanimatore nga anesteziologët e Klinikës së Anesteziologjisë dhe pastaj specialistët e Klinikës së Gastroenterologjisë me Hepatologji, përmes metodave endoskopike, fëmijës ia larguan monedhën metalike nga lukthi.
“Fëmija tani gëzon shëndet të plotë dhe po mbikëqyret nga stafi i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, mjekët apelojnë te prindërit që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos lejojnë që fëmijët të mbajnë monedha metalike dhe gjësende të imëta që mund t’i gëlltisin dhe t’u shkaktojnë telashe shëndetësore.