4-vjet nga tërmeti tragjik, Rama publikon fotografi nga rindërtimi në Thumanë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar fotografi nga Thumana, si një prej zonave më të prekura nga termeti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në 4-vjetorin e tërmetit tragjik, ka publikuar fotografi nga Thumana, si një prej zonave më të prekura.

Banesa, shkolla, fusha sporti, janë disa nga objektet e ndërtuara e që shihen në fotografitë e kryeministrit shqiptar.

Më 26 nëntor 2019, Shqipëria veriperëndimore u godit nga një tërmet i fuqishëm prej 6.4 ballë të Rihterit, me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në ora 03:54.

Njëmbëdhjetë bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.

Në total 51 njerëz mbetën të vdekur nga tërmeti dhe mbi 3.000 të tjerë u plagosën. Në mesin e viktimave ishin edhe dy vëllezër nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, Shemsedin e Isa Abazi të cilët humbën jetën tragjikisht nën gërmadhat e njërit nga hoteleve që u shembën në orët e para të 26 nëntorit. Raportohet se tërmeti preku në mënyrë direkte dhe indirekte 202 mijë persona.

Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.

Dëme u shënuan kryesisht në qytetin e Durrësit dhe fshatin e Kodër-Thumanës, të cilat ndodhen afër epiqendrës së tërmetit. Dy hotele dhe dy pallate u shembën në Durrës. Katër ndërtesa, përfshirë një pallat 5-katësh u shembën në Kodër-Thumanë e cila u godit më rëndë nga tërmeti.

Qyteti i Laçit u dëmtua gjerësisht. Gjendja e jashtëzakonshme që do të zgjaste 30 ditë u shpall nga qeveria shqiptare për Durrësin, Thumanën dhe Tiranën e më vonë u zgjerua për Laçin dhe Lezhën.

Tërmeti u ndoq nga pasgoditje të cilat drodhën strukturat e dëmtuara gjatë tërmetit dhe shkaktoi frikë midis qytetarëve.

Rrjedhimisht një numër shtëpish nuk ishin më të banueshme. Qindra ushtarë shqiptarë dhe rreth 2.000 oficerë policie u dërguan në zonat e prekura nga tërmeti. Ata u ngarkuan me detyrën e ndihmesës në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe në ngritjen e çadrave dhe kampeve të strehimit për njerëzit e mbetur tashmë pa shtëpi. 300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për të strehuar rreth 1.000 persona.

Kosova bëri detyrën duke i dalë në ndihmë Shqipërisë. Në mënyrë individuale u mblodhën ndihma ndërsa në mënyrë institucionale u ofrua të strehonte familje. Njësia e kërkim-shpëtimit të FSK-së, dhe ajo e K9, njësia e cila operon me qentë, do t’u dilnin në ndihmë banorëve të Durrësit dhe Thumanës, vende këto në të cilat tërmeti kishte goditur më shumë.

Shumë njerëz të pastrehë në Kodër-Thumanë kaluan dy net në çadra duke refuzuar për të qëndruar në hotelet në Detin Adriatik. Forcat Speciale RENEA vijuan të kërkonin për disa njerëz që u raportuan të humbur dhe të paktën 45 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat.

Sipas informacioneve zyrtare 51 vetë humbën jetën – 25 në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç. Pas tërmetit, humbën jetën edhe 2 persona nga Kurbin, njëri nga plagët dhe tjetri i dha fund jetës për shkak të stresit post-traumatik.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika