Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar Gëzim Çelajt, i njohur si “Baroni i drogës” 40 ditë paraburgim pasi një ditë më parë u arrestua në një fshat të Ferizajt.
I njëjti kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se kundër të njëjtit është lëshuar udhe arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datave 8 gusht 2014 dhe 1 mars 2022 të shtetit të Shqipërisë për shkak të veprave penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) dhe Italisë, ngase i njëjti është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (19) vite e nëntë (9) muaj e njëzet e nëntë (29) ditë, për veprat penale të trafikimit me narkotikë”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë, Policia të premten kishte njoftuar se e ka arrestuar G.Ç, shtetas i Shqipërisë, i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar.
Arrestimi i tij ka ndodhur në një fshat të Ferizajt.
“Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me autoritetet policore të Republikës së Shqipërisë, sot më 08.12.2023, në një fshat në Ferizaj, kanë arrestuar një të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy vajza shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova./ BetimipërDrejtësi