Të paktën 41 emigrantë kanë humbur jetën si pasojë e fundosjes së një anijeje në ishullin italian të Lampedusa, thanë të mbijetuarit për mediat lokale.
Një grup prej 4 personash që i mbijetuan katastrofës u thanë shpëtimtarëve se ishin në një varkë që ishte nisur nga Sfax në Tunizi dhe ishte fundosur rrugës për në Itali.
Katër të mbijetuarit, me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea, arritën në Lampedusa të mërkurën.
Më shumë se 1800 njerëz kanë humbur jetën deri më tani këtë vit në kalimin nga Afrika e Veriut në Evropë.
Të mbijetuarit, të cilët ishin tre burra dhe një grua, u thanë shpëtimtarëve se ishin në një varkë me 45 persona, duke përfshirë edhe tre fëmijë.
Ata thanë se varka e tyre u nis nga Sfax të enjten javën e kaluar, por u përmbyt brenda disa orësh, raporton BBC.
Ata shtuan se u shpëtuan nga një anije mallrash dhe më pas u transferuan në një anije të rojes bregdetare italiane.
Roja bregdetare italiane raportoi dy fundosje të anijeve në këtë zonë të dielën, por nuk është ende e qartë nëse kjo anije është një nga ato.
Autoritetet tuniziane thonë se Sfax, një qytet port rreth 80 milje (130 km) nga Lampedusa, është një portë e njohur për emigrantët që kërkojnë siguri dhe një jetë më të mirë në Evropë.
Ditët e fundit, anijet italiane të patrullimit dhe grupet e bamirësisë kanë shpëtuar 2000 persona të tjerë që kanë mbërritur në Lampeduza.
Tunizia ka parë një valë të re racizmi kundër afrikanëve me ngjyrë në muajt e fundit dhe përpjekjet për t’u larguar nga vendi me anije janë shtuar edhe më shumë.