Deri më tani rreth 4200 vetura janë riregjistruar dhe kanë kthyer targat nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës (RKS), pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit deri më 15 dhjetor.
Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë për Rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka shtuar se edhe këtë të premte është dita e fundit për qytetarët në veri të vendit që t’i riregjistrojnë veturat e tyre në targa të Republikës së Kosovës.
“Deri më tani janë regjistruar 3400 vetura. Ndërkohë që në afatin e mëhershëm janë regjistruar 800, të gjitha janë 4200”, ka thënë Elshani në një përgjigje për Dukagjinin.
Elshani ka bërë thirrje ndaj qytetarëve për t’u përballur me procedurat e riregjistrimit, duke theksuar se automjetet me targa ilegale nga 16 dhjetori do të kenë pasoja.
“Në rast se një automjet gjendet në rrugë me targa ilegale, policia do të ndalojë mjetin, do t’i marrë targat, dhe do t’i shqiptojë një gjobë prej 150 eurosh, do t’i konfiskojë lejen e qarkullimit të veturës dhe do të lejojë shoferin të largojë mjetin nga qarkullimi”, ka thënë ai.
Po ashtu, sipas tij, nëse situata përsëritet, automjeti do të konfiskohet dhe do të dërgohet në Doganë për procedurat e nevojshme.
Policia në nëntor kishte kërkuar një shtyrje të afatit për riregjistrimin te Qeveria, duke argumentuar se ka një interesim të madh të qytetarëve në katër komunat veriore për t’i konvertuar targat e tyre në ato të Republikës së Kosovës.
Kurse, Qeveria më 30 nëntor kishte marrë vendimin për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e targave për 15 ditë.