462 kadetë që kishin qenë pjesë e trajnimit tre mujor sot e patën ditën e fundit si të tillë.
Ata i dhanë epilog angazhimit të tyre për tu bërë tash policë të Republikës së Kosovës dhe për të vazhduar rrugëtimin e ri në këtë institucion.
Një nga ta është Blerim Canolli i cili këtë moment e kishte pritur për një kohë të gjatë.
“Kam pas andërr gjithmonë me shërby qytetarin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Canolli.
Ato për të cilën angazhohen këta policë sipas Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani janë në themele të shtetit tonë.
“Rendi dhe siguria janë themeli i një shoqërie të suksesshme ndërkaq këta djem e vajza që kujdesen për rendin dhe sigurinë tonë janë mburoja e paqes dhe lirisë për të cilën populli ynë ka sakrifikuar për shekuj të tërë”, ka thënë Osmani.
“Ka shumë mënyra për t’i shërbyer vendit personalisht dhe kolektivisht, privatisht dhe publikisht por nuk ka rrugë më të drejtpërdrejt se sa ta veshësh uniformën policore”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tregoi edhe përbërjen etnike të kësaj gjenerate.
“56 nga ta janë femra e 406 janë meshkuj, prej tyre 343 janë shqiptarë, 79 serb, 23 boshnjak, 6 turk, 3 ashkali, egjiptas 6 dhe romë 2”, ka thënë Hoxha.
Udhëheqës institucionesh gjatë kësaj ceremonie bënë thirrje që sa më shumë gra të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës.