“48 orë kanë qenë si 48 vjet”, Kryeziu-Manaj rrëfen për torturat që përjetoi nga shqiptarët e UDB-së

Zyrafete Kryeziu-Manaj, ish-e burgosur politike, ka rrëfyer për torturat që përjetoi nga shqiptarët e UDB-së pas arrestimit të saj më 26 shkurt 1982

Ish-e burgosura politike, Zyrafete Kryeziu-Manaj, ka rrëfyer për torturat që përjetoi në duart e shqiptarëve që shërbenin për UDB-në.

Kryeziu-Manaj kujtoi momentin e arrestimit të saj më 26 shkurt 1982, kur ishte duke zhvilluar një orë mësimi. Një punonjës i UDB-së, Ilaz Vranjovci, u shfaq papritmas për ta arrestuar.

“UDB-ja ka qenë garnitura e njerëzve më të ndyrë që i ka takuar si emër dhe si shqiptarë. Nëse ata kanë pretenduar të jenë shqiptarëve.

Mua më arrestojnë nga procesi ku isha duke e zhvilluar orën e mësimit. Vjen më 26 shkurt të 82-tës, Ilaz Vranjovci, një udbbash, nga Terrna një fshat i Suharekës. Unë të figurë e kam njoftë, ai paraprakisht ka punuar aty lëshoheshin pasaportat. Dhe nuk e kam ditur që e ka marrë rolin e udbashit.

Isha duke e zhvilluar orën e mësimit dhe drejtori e dërgon Halit Berisha mirëmbajtësin e shkollës më shku me ma thirrë Zyrafetën. Dhe ishte ora e dytë e mësimit kur vjen ky, dhe më nxjerr nga procesi mësimor dhe më dërgon fillimit në zyrën e drejtorit. Dhe kur e pashë atë, pak u befasova.

Zakonisht mirëmbajtësi ma ka buzëqeshur, kemi shkëmbyer ndonjë batutë, ka qenë vendas i imi. Atë dite kur erdhi, trokiti në mënyrë më të ashpër në derë dhe pa përshëndetje po më thotë po të thirr drejtori lartë… kur shkoj atje e takoj Ilaz Vranjovcin. Ai i fryrë sikur ‘quran’ në misionin vet. Se ai kishte, sipas tij, mbërri me qenë dikush, dhe unë për të isha askushi… aty zhvilluam një bisedë të shkurt… dhe më çuan në sakiconin e Policisë në Suharekë”, ka thënë Kryeziu-Manaj.

Pasi u dërgua në stacionin e milicisë në Suharekë, Kryeziu-Manaj u përball me një tjetër shqiptar, komandantin e Policisë, Idriz Gegaj, i cili e trajtoi atë me përbuzje dhe e fyeu rëndë.

Më pas, ajo u transferua në Prizren, ku përjetoi 48 orë të tmerrshme të torturave.

Kryeziu-Manaj i përshkroi ato orë si “48 vjet”, duke përshkruar dhunën fizike dhe psikologjike që u ushtrua ndaj saj.

“Në stacionin e Policisë hasa në një njeri që për nga fjalori ishte më i ndyti. Ishte komandanti i Policisë, Idriz Gegaj. Tash ky nuk më çoi në zyrën e vet. Më çoi në zyrën e këtij dhe aty më shau, mua e familjen time.

Pastaj, aty kam qëndruar deri kah ora 3 ose 4 e pasdites dhe më kanë çuar në Sup-n e Prizrenit.

Aty mbahen 48 orë. 48 orë kanë qenë si 48 vjet atë kohë. Sepse kanë qenë maltretimet nga më të ndryshimet. Duke filluar të mi lidhin duart me pranga, pastaj shuplaka fytyrës. kryeudbashi ka qenë Daut Morina. Pastaj ka qenë Vesel Krasniqi. Këtu dua me lidh se Krasniqi ka qenë udbash që e ka marrë edhe babain tim në pyetje. Babai im në vitin 68 kur është ngrit flamuri për herë të parë në Suharekë… babi im ka qenë pjesëmarrës i atij takimi ndërkohë kanë ardhur SUP-i e udbasht dhe e kanë hjek flamurin nga shtylla dhe e kanë burgos në një librari që ka qenë në qendër të Suharekës. Babai im me disa shokë të tij, siç kanë qenë djemtë e Veli Gashit, Haki Kuçi, Talë Bajraktari dhe disa të tjerë. Ata e kanë thyer derën dhe e kanë nxjerr flamurin dhe atë ditë për orë të tëra kanë defiluar me flamur në dorë. Vesel Krasniqi ka qenë udbashi kryesor që e ka marrë në pyetje dhe e ka tortuar”, ka shtuar ish-e burgosura politike.

Shija e redaktorit

Konjufca i lumtur për vizitën e homologes shqiptare Spiropali: Kosova...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali, për marrjen e detyrës së re. Kryekuvendari në konferencën...

Osmani: 11 shtatori- ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar sot 23-vjetorin e sulmit tragjik të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ngjarje që, sipas...

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Të fundit nga rubrika